Transmetuar më 26-02-2026, 11:14

Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një mbledhje të posaçme me grupin parlamentar socialist në Pallatin e Brigadave, ku në fokus ishte situata e krijuar rreth reformës në drejtësi dhe çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një fjalim të gjatë rreth 2 orë dhe me tone të forta, Rama tha se brenda grupit parlamentar ka pasur zëra që e kanë bërë atë përgjegjës për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, disa deputetë i kanë thënë hapur se duhet të ndjehet fajtor për përballjet aktuale me drejtësinë.

“Unë duhet të ndjehem përgjegjës për reformën në drejtësi. Sot natyrisht jo vetëm unë, por mu tha mua copë. E mirëkuptoj zhgënjimin, por ta quash dështim nga mbështetësit e dikurshëm është alarm”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se mbetet i bindur në reformën në drejtësi, pavarësisht asaj që i cilësoi si “efekte të dëmshme anësore”, duke shtuar se nuk bëhet “kurrë pishman” për pavarësinë reale që iu dha pushtetit gjyqësor.

Kritika të ashpra ndaj sistemit të drejtësisë

Gjatë fjalës së tij, kryeministri artikuloi kritika të forta ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke deklaruar se sistemi nuk është as i paanshëm dhe as profesional. Ai përdori tone të ashpra, duke thënë se “kura është bërë më e rrezikshme se sëmundja”.

Rama akuzoi disa prokurorë se po “presin fletëarreste me tufa”, në kuadër të asaj që ai e cilësoi si garë për rinovimin e mandateve në SPAK. Sipas tij, në disa raste janë ndërmarrë masa të rënda për çështje që mund të hetohen në gjendje të lirë.

Ai përmendi rastin e Durrësit, ku sipas tij janë lëshuar dhjetëra masa arresti, duke përfshirë edhe një punonjëse të administratës që përballej me probleme shëndetësore.

Kryeministri kritikoi edhe kontrollet dhe thirrjet në prokurori gjatë orarit të punës, duke theksuar se parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të respektohet deri në provimin e fajësisë.

Çështja Balluku dhe dorëheqjet

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ramës iu kushtua situatës së Belinda Ballukut. Ai bëri të ditur se zëvendëskryeministrja i ka paraqitur dorëheqjen tre herë, që nga momenti i ngritjes së akuzës për pabarazi në tenderë, por ai e ka refuzuar kategorikisht.

“Ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. Secili duhet të bëjë punën e vet”, tha Rama.

Ai theksoi se në këtë fazë të zhvillimit institucional të vendit, mekanizmi i qeverisjes nuk mund të “kurdiset e çkurdiset” sa herë prokuroria ngre një akuzë, duke shtuar se ndonëse njeh praktikën europiane të dorëheqjes morale, ajo nuk aplikohet njësoj në çdo vend.

Raporti me drejtësinë dhe integrimin evropian

Rama e vendosi situatën aktuale në kontekstin e procesit të integrimit europian, duke përmendur hapjen e grupkapitujve dhe progresin ekonomik të vendit. Ai paralajmëroi për rrezikun e “mpirjes” politike dhe institucionale në një moment që, sipas tij, Shqipëria është më relevante se kurrë në arenën ndërkombëtare.

Ai theksoi se ndarja e pushteteve është thelbësore dhe se ndërhyrjet e një pushteti në tjetrin dëmtojnë funksionimin e shtetit.

“Kur Kushtetuta thotë tre pushtete të pavarura, ato duhet të jenë realitet, jo vetëm në letër”, u shpreh kryeministri.

Mbledhja e grupit parlamentar socialist konsiderohet si një nga më të rëndësishmet që prej vitit 2017, kur u diskutua çështja e ish-ministrit Saimir Tahiri. Në axhendën e saj përfshihet edhe raportimi i ministrave të kabinetit qeveritar.

Ndërkohë, vendimi përfundimtar për çështjen e Ballukut pritet të merret në Parlament, pas vendimit të Këshillit të Mandateve që refuzoi kërkesën për heqjen e mandatit të saj.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në mbledhjen e GPS

Sot jemi në këtë mbledhje të posaçme të fundmuajit, ku këtë radhë do të jetë qeveria që do të raportojë përpara grupit dhe duke qenë se temat e posaçme që lidhen me çdo sektor, do të trajtohen nga ministrat përkatës, unë dëshiroj të ndaj këtu me ju, duke përfituar dhe nga prania e publikut dhe veçanërisht zgjedhësve tanë përmes mediave, opinionin që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi, jo thjesht ne, shumica qeverisëse, por vendi ynë sot.

Pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë rreth 9 muaj më parë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE, në një kohë rekord për historinë e integrimeve evropiane, si edhe pas zhvillimeve qe lidhen sa me ecurinë dhe me fatin e reformës historike në drejtësi, aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2023 në BE.

Për hir të së vërtetës, unë besoj që duhet të shohim së bashku, se jemi në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, duke afirmuar një rritje të qëndrueshme, e cila për nga kohëzgjatja e saj në harkun e këtyre 35 viteve, është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, duke u vlerësuar dhe duke u respektuar në çdo forum dhe instancë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërkohë që projektet në zhvillim, në hartim e sipër apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat, janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë, udhëkryqi ku ne ndodhemi sot, paraqet sipas meje, disa rreziqe, të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë dhe kur them nga ana jonë, kam parasysh në radhë të parë ne këtu, deputetë, deputete, ministre, ministra sepse përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëjë në vendnumëro, duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për të ngjitur më në fund aty ku prej dekadash, shekujsh e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe ku patjetër e meritojnë fëmijët tanë dhe gjeneratat e tjera dhe çdo vendnumëro për Shqipërinë sot është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe i fuqisë se vendit nesër për të vazhduar të jetë tërheqës, të jetë dinamik dhe të jetë i respektuar ndërkombëtarisht.

Rreziku që ne të bëhemi irelevantë, është real dhe kur them ne, kam parasysh vendin tonë, ndërkohë që jemi me relevantë se asnjëherë dhe mund të bëhemi edhe më relevantë.

Pse i them këto?

Le ta nisim së pari dhe si gjithnjë nga vetja sepse e vërteta është që ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave po është një udhëkryq mjegullash botëkuptimore dhe erërash artificiale që rrezikojnë të na mpijnë, të na çorodisin dhe të na ngatërrojnë pastaj me këmbët tona, gjë që ka ndodhur më parë dhe u ka ndodhur më parë, jo vetëm këtu, por edhe në të tjera vende, partive të mëdha kur ka ngatërruar sensin e madhësisë dhe të forcës së tyre me thellësinë e sfidave dhe peshën e përgjegjësisë së tyre.

Sot, po sprovohet faktikisht aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, e para e familjes sonë politike, po edhe e krejt vendit, pikërisht kur duhet të ngjitemi ende më lart dhe kur tanimë diferencën midis pikës ku jemi dhe pikës ku duam të mbërrijmë, e bën çdo detaj dhe e bën çdo ditë nga mënyra se si ne e shfrytëzojmë ditën. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që ne e bëmë me shumë vështirësi, por është edhe më e vështirë që të ngjitesh më lart sot dhe po të shohësh edhe dinamikën edhe natyrën e sfidave në procesin e negociatave, kjo bëhet edhe më evidente sepse çdo hap i ri, vjen me një sfidë të re më komplekse sesa ajo e mëparshmja dhe për këtë duhet shumë përgatitje dhe shumë forcë.

Gjithsesi ajo që është më e rëndësishmja është që në këtë udhëkryq, ne kemi fatmirësisht në dorë për një busull që është e pagabueshme, që është Shqipëria në BE.

Dhe sot, në 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit dhe ketë e them faktikisht jo metaforikisht sesa ç‘ishim fjala vjen në 26 janar apo lëre pastaj, në 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Dhe e përsëris, kjo nuk është letërsi, ky është fakt sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në at proces, falë volumit të madh të punës që po bëjmë se bashku sepse për shembull, së bashku në fund të janarit, pas një pune vërtetë të jashtëzakonshme kaluam në Kuvend një ‘’masiv‘’ të tërë ligjesh dhe amendimesh që ishin kryekëput të lidhura, pikërisht procesin në fjalë dhe të tjera ‘’masivë’’ na presin më tutje.

Aktualisht tani që flasim, ne kemi rritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme, të cilat janë sipas drejtueseve tona në këtë proces, një test i vështirësisë shumë të lartë dhe kërkojnë një përgatitje shumë të lart të vendit.

Për të tjerët para nesh për shembull janë dashur edhe vite për të kaluar testin e piketave të ndërmjetme. Për planin tonë ky test duhet kaluar në disa muaj dhe kjo do forcë. Dhe forcë në këtë rast do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Unë jam besimplotë, që ne do ta kalojmë dhe këtë test dhe edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pangushëllueshëm opozitar por e kam për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë e përditë duke hedhur përpjete kapakët e 700 tenxhereve mediatike të cilat e kanë kthyer mexhlisin e Shqipërisë në pazarin më të neveritshëm të gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash.

E ka thënë populli thonë qysh se asnjë prej nesh s’kishte lindur akoma, se kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botes, e vërteta s’ka veshur ende pantallonat. Po aso kohe populli s’kishte parë asgjë akoma se s’kishte ardhura ardhur flama e kanaleve dhe portaleve të ujërave të zeza mediatike kurse tenxherja e vetme mediatike ishte tellalli i qytetit. Ndërkohë që sot tellallët e gënjeshtrave me lloj – lloj bishtash janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber të ditës. Por ne s’kemi ç’t’i bëjmë as tellall hanes së madhe ku na e solli jeta të jetojmë duke qenë në krye të vendit në një moment kyç të historisë së tij as vrapit të marrë të gënjeshtrave të botës, ndërkohë që në rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit.

Prandaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona të mëdha dhe të vogla, të shtojmë forcat për t’i bërë sa më mirë dhe për t’i komunikuar sa më shumë dhe të përpiqemi dhe me më shumë këmbëngulje të vet korrigjohemi dhe të përmirësohemi dhe këtu bujrum jepni idetë tuaja dhe ndërkohë le të debatojmë këtu së brendshmi, hapur, pa dorashka për sesi gjerat mund dhe duhen bërë më mirë në këtë drejtim, por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri tjetrin opinionet duhet të përqendrohemi në një pikë, ne vetëm një pikë. Një pikë dhe asnjë pikë tjetër. Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030.

Kur e lexojmë historinë, ne jemi njerëz të zakonshme ndërsa historia flet për njerëz të jashtëzakonshëm. Por edhe ata kur e kanë lexuar historinë përpara tyre kanë qenë njerëz të zakonshëm dhe ka plot të tjerë njerëz të zakonshëm që kanë patur mundësi ta bëjnë historinë dhe nuk figurojnë në librat e historisë sepse nuk e kanë bërë të jashtëzakonshmen që duhet për të bërë histori.

Sot, rruga e Shqipërisë dhe yjet që janë bashkuar bashkë e kanë sjellë që ne të jemi me historinë në duart tona dhe ta shkruajmë me mendjen dhe me forcën tonë.

Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është një tjetër etapë e zhvillimit të vendit. Shqipëria në BE është histori dhe pa diskutim që nuk është e lehtë të përqendrohesh në kushtet kur përtej zhurmës së përditshme dhe të përnatshme të bombave artizanale që plasin në tenxhere, ka filluar dhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm të afërt të SPAK duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletë të prera nuk u kursye as deri dhe një punonjëse model e shtetit 5 vjet në luftë me kancerin dhe me një fëmijë dy muajsh në gji. Apo duke shpërndarë fletëthirrje për paraqitje në prokurori në sasi që i ngjanin biletave të teatrit, deri dhe për absurditete të skajshme siç është një rast emblematik këtu në Tiranë ku një ndërtues pa leje që duhej të përgjigjej përpara drejtësisë dhe të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin dhe prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që bënë procesin për të futur agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje.

Tani me siguri do thonë që sapo ka ndërhyrë në punët e drejtësisë, por ne asnjë mënyrë jo.

Unë këtu sot do them një të njëmijtën e atyre që kam në fakt për të thënë për ndërhyrjet, jo vetëm të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme të gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe të legjislativit bashkë. Të pajustifikueshme sepse shteti ka tre pushtete të pavarur nga njeri-tjetri dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e tjetrit, shteti nuk funksionon si duhet.

Kjo vlen kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e pushtetit gjyqësor dhe po njësoj vlen kur pushteti gjyqësor ndërhyn në punët e pushtetit ekzekutiv. Do ta shpjegoj më pas çfarë kam parasysh. Por përpara do të them që pikërisht sepse ne e besojmë që kur Kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha kushtetutat demokratike të Europës ku duam të bëhemi pjesë, thonë se ka tre pushtete të pavarura dhe këto tre pushtete të pavarura nuk mund të jenë në letër siç ishin deri përpara sesa ne të bënim gjithçka kemi bërë, po duhet të jenë realitet, kjo parti, kjo shumicw qeverisëse i hyri detit në këmbë dhe pas 100 e kusur vitesh shtet shqiptar, ne i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor.

Prandaj dhe unë që e kam udhëhequr kokëfortësisht partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësimin e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht lloj – lloj bombash artizanale që kur ndizen nga lloj – lloj prokuroresh e gjykatësish lartë e poshtë nëpër Shqipëri, të cilët shija e pavarësisë reale i deh, iu mjegullon arsyen, iu errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë minimalisht shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut se maksimalisht ka ende shumë më keq, por unë nuk do zgjatem këtu dhe prandaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që ekzekutivi apo legjislativi të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, po është që gjyqësori të gjymtojë, jo thjeshtë pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar dhe kjo ka ndodhur në vende të tjera, nuk është diçka e panjohur në historinë e zhvillimeve të drejtësisë, por kjo nuk mund të ndodhi në këtë vend. Sepse ky vend që është në ngjitje të vazhdueshme, nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të frenohet, e jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte.

Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës me një vendim të një seancë paraprake pa gjyq, i pa ndodhur në historinë e botës.

Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave të një vendi?

Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për se si parlamenti ka vendosur të ndajë Komisionet Parlamentare – “hapu dhe”, i thonë kësaj.

Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore të përfaqësuesve të pushtetit të pavarur gjyqësor të fashiten, sepse në të kundërt as nuk do të kemi dot një gjyqësor, jo vetëm të pavarur, por edhe domosdoshmërisht të paanshëm dhe profesional, po as do të kemi dot një shtet funksional, një administratë publike, e cila të japë më të mirën e vet për performancën e shtetit, pa pasur frikë të marrë vendime, deri dhe për blerjen e letrës higjienike.

Ky është fakt, dhe është një nga mijëra faktet që mund të jap, po e zgjodha enkas, sepse është më tragjikomiku i zinxhirit kilometrik të fakteve të prodhuara nga frika, po as do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet dhe larg qoftë deri dhe një konsumator të çliruar nga frika se mund të bjeri në sy.

E përsëris, këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara. Ne nuk kemi luksin dhe Shqipëria nuk e ka luksin të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime dhe këto rreziqe janë serioze, nuk janë imagjinare, prandaj duhen marrë në konsideratë nga të gjithë, sa nuk e kanë prekur palcën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, siç ka ndodhur gjetkë kur antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme sesa vetë sëmundja e korrupsionit dhe ka mijëra, në mos miliona, po mijëra studime, libra, doktoratura për këtë temë.

Ndërkohë, unë personalisht qëndroj me shpresë dhe me besim dhe përpiqem t’i ushqej me këtë shpresë shumë partizanë të zhgënjyer të reformës në drejtësi, sepse për hir të vërtetës, gjithmonë e më të shumta janë rastet e pajustifikueshme të brutalitetit, sa të pajustifikueshëm, aq dhe të panevojshëm, të prokurorëve, po edhe të gjyqtarëve. Këta të fundit, për shembull, kanë arritur maja që habisin edhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të këtij qyteti të reformës në drejtësi dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kur dëgjojnë që një gjykatës, i thotë prokurorit, “rëndoje dorën, se e ke të lehtë akuzën”, apo një tjetër gjykatës në apel i jep ankuesit një dënim edhe më të rëndë se sa ai që kishte në shkallën e parë, këta kujtojnë, anglisht folësit, se këto janë bomba artizanale të propagandës qeveritare, këto janë fakte, fakte të tmerrshme.

Por halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në horizontin e pushtetit gjyqësor dhe këtë perceptim shqetësues ma përforcon një fakt, për mua është shumë domethënës që kur unë ngre shqetësimet e kësaj natyre, këshillat e prokurorisë dhe të gjyqësorit, sipas rastit, më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mia ca deklarata nervoze, si ato të njerëzve që një daulle dasme iu prish gjumin e drekës. Me ca thirrje bajate për aktorët politikë, që të mos i bëjnë presion drejtësisë, bla bla. Pavarësisht faktit që unë nuk jam “aktorët politikë”, po jam kryeministri i dalë nga një votë popullore që i dha Partisë Socialiste një shumicë të hatashme prej 83 mandatesh, ndërkohë që kjo parti nuk e ka një konkurrent në historinë botërore, si faktori qeverisës më mbështetës i pavarësisë drejtësisë dhe faktori më i heshtur politik ndaj fajeve dhe gafave të drejtësisë së pavarësuar në thelb, unë ngre probleme serioze me të cilat duhen të merren në fakt pikërisht hartuesit e atyre deklaratave të kota. Dhe para se të shkruajnë me kollajllëkun më të madh, fjalën presion, është fjalë shumë e madhe fjala presion, për mbështetësin më të madh të pavarësisë së tyre, që jam unë këtu personalisht, mirë është ta kujtojnë se ku ishin fshehur ekzaktësisht, kur paraardhësi im e ngrinte, “puçistë” dhe e ulte “lavire” Prokuroren e Përgjithshme, ose nëse iu vjen zor ta kujtojnë se ku mund të jenë fshehur, apo aq më keq, ju vete mëndja ta quajnë të panevojshëm për kujtesën e tyre këtë detaj se helbete iku ajo kohë dhe tani po hymë në Europë, le të mos e harrojnë se tani, tani, sot, në këtë kohë, atij që s’u bë dot pasardhësi im, pasi ishte paraardhësi im nuk i artikulojnë dot, jo një deklaratë, por gjysmë llafi, edhe pasi del dhe i lexon librin e shtëpisë prokurorit tonë më kurajoz, mu tek dera e SPAK-ut.

Prandaj u sugjeroj të merren me mesazhin, jo me mesazherin, se paguhen “si frëngu pulën” nga taksat e shqiptarëve, bashkë me 500 sekretarë dhe këshilltarë të tyre, që të qeverisin sistemin e ri tw drejtësisë, jo që të ankohen për ndërhyrje dhe për presione inekzistente nga unë, që u kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur, e cila rrinte në zyrën time që nga viti 1912.

Kurrë nuk do ndërhyjmë ne në çështjet që i takojnë drejtësisë! Kurrë! Po të drejtat dhe liritë e njeriut, siguria juridike e qytetarëve, e punonjësve të shtetit apo e sipërmarrësve, garancitë e procesit të rregullt ligjor e me radhë, e me radhë nuk janë çështje që i takojnë vetëm prokurorëve e gjykatësve, apo thjesht pushtetit gjyqësor, por janë çështje që lidhen me funksionimin demokratik të shtetit shqiptar dhe me jetën e njerëzve të këtij vendi që i takojnë çdo qytetari të këtij vendi, e jo më pastaj të zgjedhurve nga qytetarët e këtij vendi.

Kur unë të hyj në meritën e ndonjë çështjeje, përsa kohë ajo çështje është në gjykim, atëherë hajde, mund ta diskutojmë, por kur unë ngre zërin se më vjen turp pasi lexoj raportin alarmant të Këshillit të Europës për nivelin skandaloz të paraburgimeve, të burgosurve pa gjyq në Shqipëri dhe nga ana tjetër këshillat në fjalë nuk bëjnë asgjë për ta trajtuar atë raport me seriozitetin maksimal dhe për ta shtruar këtë problem minimalisht me të njëjtin alarm që e shtrojnë disa të huaj atje në Strasburg, përkundrazi. E vetmja gjë që i bën të ndjehen se ekzistojnë janë deklaratat për mua, atëherë kjo është për të vënë duart në kokë. Po halli i vërtetë këtu është se po bëhen pak si shumë këto arsyet për të vënë duart në kokë.

Se fjala vjen, deklaratat e prishje gjumit të Këshillave janë lule, përpara atij çarçafit që nxori ajo shoqata rroga-rritëse e gjykatësve. Një fletë rrufe e vërtetë, të cilën do ta kishte lexuar, jo vetëm me ton dramatik, por me bindje të plotë politike edhe vetë heroina e telenovelës “Rruga e shpresës”, Albana Bulku, ndërkohë që unë vura alarmin si kryeministër i Shqipërisë për gropën që shoqata në fjalë donte të hapte në buxhetin e shtetit, duke i rritur rrogat vetes me gjyq dhe padrejtësisht dhe halli i halleve pastaj është se duart ne këtu nuk i kemi për t’i vënë në kokë, por për të hapur rrugën e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian me një shumicë parlamentare prej 83 deputetësh dhe po e përsëris, e po e përsëris, e po e përsëris që ta dëgjojnë të gjithë se ndoshta nuk e kanë mirë parasysh dhe këtë shumicë ky popull na i ka vënë në dispozicion që të përveshim mëngët e të mos ndalemi, duke na hequr dhe çdo lloj alibie të mundshme për çdo lloj vend numëroje, prandaj ka shumë rëndësi që njerëzit e sistemit të drejtësisë, jo vetëm ta kryejnë punën e tyre të patrazuar, gjë për të cilën mbështetja jonë s’ka munguar dhe s’do mungojë asnjëherë, të paktën derisa unë të jem këtu në krye të kësaj shumice, por edhe të përpiqen t’i marrin shqetësimet e shprehura publikisht nga ana ime, si shqetësime në interes së shtetit, jo të pushtetit që ne përfaqësojmë. Them nga ana ime, pasi pakti ynë i brendshëm këtu, në këtë grup është që askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e drejtësisë së re, sepse pikërisht qëllimi ynë si forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, nuk është të bëjmë presion, por të kërkojmë mirëkuptim për gjërat që nuk shkojnë, apo ende më keq që shkojnë aq keq sa e dëmtojnë kauzën e përbashkët për shtetin ligjor demokratik të shqiptarëve.

(vijon)

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit