Transmetuar më 26-02-2026, 12:03

Banka e Shqipërisë raportoi se muaji janar ka shënuar një rritje rekord të kursimeve në monedhën vendase, ndërsa depozitat në valutë kanë shfaqur tendencë rënëse.

Sipas statistikave zyrtare, në muajin e parë të vitit 2026 depozitat e individëve, bizneseve dhe institucioneve të tjera arritën në 737 miliardë lekë, duke u rritur me 26 miliardë lekë, ose 4%, krahasuar me dhjetorin 2025. Në bazë vjetore (janar 2026/janar 2025), kursimet në lekë janë shtuar me 85 miliardë lekë, ose 13.1%.

Rritja e janarit është ndikuar kryesisht nga zgjerimi i depozitave të bizneseve private, të cilat u rritën me 10% (rreth 11 miliardë lekë), si dhe nga korporatat publike, me një rritje prej 36% (rreth 9 miliardë lekë). Ndërkohë, depozitat e individëve kanë ndjekur një ecuri më të qëndrueshme.

Në të kundërt, depozitat në valutë shënuan një rënie të lehtë mujore. Ato zbritën në rreth 8.7 miliardë euro, me një tkurrje prej 37 milionë eurosh, ose 0.4% më pak krahasuar me dhjetorin. Megjithatë, në bazë vjetore, kursimet në euro janë rritur me 629 milionë euro, ose 7.7%.

Banka e Shqipërisë raporton stokun total të kursimeve në lekë dhe në euro (të konvertuara në monedhën vendase), i cili në fund të janarit arriti në rreth 1.5 trilionë lekë, ekuivalent me mbi 15 miliardë euro. Për shkak të zhvlerësimit të euros në vitet e fundit, stoku i depozitave në euro i raportuar në lekë paraqitet më i ulët.

Edhe viti 2025 shënoi rritje rekord në lekë

Gjatë vitit 2025, depozitat në monedhën vendase arritën nivelin më të lartë historik. Në fund të vitit, në banka ishin të depozituara 710.6 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, depozitat në euro vijuan rritjen, por me ritme më të ngadalta krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit 2025, individët, bizneset dhe institucionet e tjera mbanin në banka rreth 8.7 miliardë euro.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit