

E pikasën duke u larguar me vrap nga farmacia, çfarë zbuluan policët e Durrësit brenda çantës së të dyshuarit
Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se ka vjedhur produkte në një farmaci gjatë orëve të para të mëngjesit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë patrullimit në lagjen nr. 12, kanë konstatuar një person që po largohej me shpejtësi nga ambientet e një farmacie. Ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve bëri të mundur kapjen e shtetasit me inicialet I. D., 44 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit, atij iu gjet një çantë me produkte, të cilat rezultoi se ishin marrë nga farmacia. Policia ka sekuestruar mallrat e dyshuara si të vjedhura, si dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për të kryer veprime të tilla.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i arrestuari rezulton i dënuar më parë për vjedhje, ndërsa hetimet vijojnë për të verifikuar nëse ai është i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






