Transmetuar më 26-02-2026, 09:57

Autoriteti Rrugor Shqiptar tha sot se ka nisur punën në disa fronte, me synim zgjidhje të situatës së krijuar, një kaos i vërtetë me rrugët që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Aktualisht po punohet për heqjen e masivëve të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe për vlerësimin teknik të zonës pas rrëshqitjes.

Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore.

Pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të vijojë të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit