Transmetuar më 26-02-2026, 09:52

40 mijë euro fitime përmes shantazhit me video intime, kush është burri nga Korça që futi frikën te disa meshkuj që tradhtonin gratë

Korçë – Një operacion i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë ka çuar në arrestimin e një 47-vjeçari, i dyshuar për përfitim të shumave të konsiderueshme parash përmes kërcënimit me publikim materialesh private.

Operacioni policor i koduar “Blackmail” u finalizua pas rreth katër muajsh hetime të kryera me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë. Në pranga u vu shtetasi me inicialet Kristi Joga, 47 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.

Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, 47-vjeçari dyshohet se për një periudhë rreth trevjeçare ka kërcënuar një shtetas grek me publikimin e bisedave dhe materialeve private, duke i marrë rreth 4 000 euro. Po ashtu, hetuesit dyshojnë se ai ka përdorur të njëjtin mekanizëm edhe ndaj shtetasve të tjerë grekë, duke përfituar shuma të konsiderueshme që variojnë nga 30 000 deri në 40 000 euro.

Burime nga policia bëjnë me dije se aktiviteti i dyshuar ka qenë i organizuar dhe i përsëritur, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë skemë përfitimi të paligjshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia lokale tha se i bën thirrje qytetarëve që mund të jenë përballur me raste të ngjashme, të denoncojnë pranë strukturave përkatëse, duke garantuar konfidencialitet dhe mbështetje gjatë procesit hetimor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit