Transmetuar më 26-02-2026, 08:33

Pogradec, 26 shkurt 2026 – Një automjet tip “Range Rover” është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit.

Policia tha se sot rreth orës 03:50, në lagjen nr.1, Pogradec, ka rënë zjarr në automjetin e shtetasit E. M., i cili ka qenë i parkuar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Sipas burimeve paraprake, mjeti është djegur pothuajse plotësisht, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse për neutralizimin e flakëve.

Automjeti rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Erion Maxhari, i njohur për autoritetet vendore.

Më herët ai ka ushtruar më parë detyrën e punonjësit të policisë në doganën e Qafë-Thanës dhe rezulton me precedentë penalë të mëparshëm për vepra të ndryshme penale.

Në vitin 2018, ai u arrestua së bashku me tre policë të tjerë, me akuzën se ishin pjesë e një grupi për trafikun e klandestinëve nga Shqipëria në SHBA, Kanada dhe Angli.

Gjithashtu, emri i tij është përmendur në një incident të ndodhur gjatë procesit zgjedhor, ku u raportua për një konflikt fizik me një komisioner.

Burime nga policia bëjnë me dije se dyshohet paraprakisht për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Hetimet vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit