Transmetuar më 26-02-2026, 08:18

Ministria e Arsimit ka bërë publik udhëzimin zyrtar për zhvillimin e Vlerësimit të Arritjeve për nxënësit e klasave të pesta në arsimin fillor, për vitin shkollor 2025–2026. Testimi kombëtar do të mbahet më 21 maj 2026 dhe synon të vlerësojë njohuritë bazë të nxënësve.

Sipas udhëzimit të nënshkruar nga zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, provimi do të jetë i integruar dhe do të përfshijë një test të vetëm me pyetje nga tre lëndë kryesore.

Struktura dhe orari i testimit

Provimi do të përfshijë pyetje nga Gjuha Shqipe, Matematika dhe Dituria e Natyrës, të hartuara sipas programit të ASCAP. Testimi nis në orën 10:00 dhe zgjat 1 orë e 30 minuta.

Nxënësit duhet të paraqiten në qendrat e testimit në orën 09:00, pra një orë përpara fillimit, për të shmangur vonesat dhe konfuzionin.

Masa për përfshirje dhe barazi

Udhëzimi parashikon rregulla të posaçme për të garantuar barazi për të gjithë nxënësit. Për nxënësit e minoritetit grek dhe maqedonas, pyetjet e Matematikës dhe Diturisë së Natyrës do të jenë të përkthyera në gjuhën amtare.

Qendra Burimore “Ramazan Kabashi” do të tërheqë testet një ditë para provimit për t’i përshtatur në sistemin Brail për nxënësit me probleme në shikim.

Për nxënësit me aftësi të kufizuara, testimi do të realizohet në përputhje me Planin Edukativ Individual (PEI) që ata kanë ndjekur gjatë vitit shkollor.

Monitorimi dhe administrimi

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar do të mbikëqyrë procesin në çdo qendër testimi dhe do të raportojë çdo parregullsi. Pas përfundimit të provimit, testet dhe të dhënat përkatëse do të administrohen dhe arkivohen nga Zyrat Vendore të Arsimit.

Udhëzimi nr. 3, datë 18.02.2026, të Ministrisë së Arsimit “Për organizimin dhe zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, viti shkollor 2025-2026”.

UDHËZIMI I PLOTË

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E ARSIMIT

Nr. 416/1 Prot.

Tiranë, më 18.02.2026

UDHËZIM

Nr. 3, datë 18.02.2026

PËR

ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E VLERËSIMIT TË ARRITJEVE TË NXËNËSVE NË ARSIMIN FILLOR, VITI SHKOLLOR 2025-2026

Në mbështetje të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 26 dhe pikës 3, të nenit 50, të ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe urdhrit nr. 578, datë 11.11.2025, të Ministrit të Arsimit “Për delegimin e kompetencave dhe caktimin e detyrave të zëvendësministrit të Arsimit, znj. Orjana Osmani”,

UDHËZOJ:

Zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor më datë 21 maj 2026, për të gjithë nxënësit e klasave të pesta.

Testi është i integruar dhe përmban njohuri nga lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre, bazuar në programin orientues për Vlerësimin e Arritjeve të Nxënësve në Arsimin Fillor, përgatitur nga ASCAP.

Për nxënësit e pakicave kombëtare greke dhe maqedonase pjesa e testit që përfshin njohuri nga lëndët e matematikës dhe të diturisë së natyrës do të jetë në gjuhën e tyre amtare.

Vlerësimi i arritjeve të nxënësve në arsimin fillor fillon në orën 10.00 dhe zgjat 1 orë e 30 minuta.

Nxënësi duhet të paraqitet 1 (një) orë përpara në qendrën ku zhvillohet vlerësimi.

Procedurat e hartimit dhe të vlerësimit të testit përcaktohen në Rregulloren “Për procedurat e organizimit dhe të zhvillimit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor”, miratuar me urdhrin nr. 66, datë 13.02.2024, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

Qendra Burimore “Ramazan Kabashi” tërheq testin në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), një ditë para zhvillimit të vlerësimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit Brail.

Nxënësit me aftësi të kufizuara e zhvillojnë vlerësimin e arritjeve në përshtatje me planin edukativ individual me të cilin punojnë, veçoritë dhe nevojat e tyre, sipas përcaktimeve të Rregullores “Për procedurat e organizimit dhe të zhvillimit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor”, miratuar me urdhrin nr. 66, datë 13.02.2024, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) monitoron procesin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe raporton për çdo parregullsi të vërejtur gjatë zhvillimit të tij.

Arkivimi i testeve bëhet pranë Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar.

Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar merr nga Qendra e Vlerësimit të Testit dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të jashtëm dhe të mjediseve ku është realizuar vlerësimi i arritjeve të nxënësve në arsimin fillor. Këto të dhëna dërgohen në QSHA, në AKAP dhe në Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar.

Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSMINISTRJA

ORJANA

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit