

Analisti politik Preç Zogaj, komenton protestat e shpeshta të opozitës dhe Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato si një “matje temperature” për reagimin e shoqërisë.
Për ish zyrtarin e lartë demokrat Preç Zogaj, mënyra se si po i organizon PD-ja këto protesta nuk të çon askund, madje është paradoks që një parti politike që synon të vijë në pushtet përdor metoda të dhunshme.
“Zhvillimi i këtyre protestave të shpeshta nga opozita dhe PD është si një matje temperature për reagimin e shoqërisë,” tha Zogaj në rtsh.
Ai u ndal veçanërisht tek përdorimi i dhunës në protesta, duke theksuar se kjo metodë nuk e ndihmon opozitën në synimin e saj për të ardhur në pushtet.
“Unë mendoj se protestat me molotov, të një partie kryesore të opozitës e cila synon të vijë në pushtet, nuk e afrojnë por e pamundësojnë rrëzimin e qeverisë,” u shpreh analisti.
Sipas tij, vetëm një pjesëmarrje masive e qytetarëve mund të ndryshojë realitetin politik, ndërsa grumbullimet e vogla mbeten thjesht organizime partiake.
“Në qoftë se nuk ka një vërshim popullor, që të dalin një masë e madhe njerëzish, me 100 apo 150 mijë, organizimet e tjera janë grumbullime partiake,” tha Zogaj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






