

KOSOVË- Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit ka deklaruar se nuk është i interesuar të bëhet president i Kosovës, edhe pse emri i tij u përfol këto ditë nga qarqe politike, pasi më 4 prill i përfundon mandati presidentes Vjosa Osmani. Në një intervistë për VOX Kosova, ai ka theksuar se këtë pozitë do ta pranonte vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, teksa ka shtuar se gjithmonë është i gatshëm, nëse është nevoja të sakrifikohet për vendin.
“Partitë po shprehin gatishmërinë e tyre, ato po shpresojnë në këtë çështje. Unë i falënderoj që na besojnë ose më besojnë për pozita të tilla. Por ua kam bërë të qartë se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe.
Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, ruana Zot ndonjë luftë civile, ndonjë rrezik i madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë dhe e vendit tonë, atëherë kush jam unë të mos sakrifikohem për këtë vend? Pra, unë jam gjithmonë i gatshëm, me gjithë fëmijët që m’i ka falë Zoti, të sakrifikohem për këtë vend. Ama jo ta keqpërdor emrin e familjes Jashari për pozita personale. Këto duhet t’i kuptojë opinioni i gjerë.
Mes të qenit në pozita publike dhe profesionit që kam, si dhe pjesës së familjes që jam, unë i zgjedh këto të fundit. Partitë politike, ose politika nëse e përkthejmë me gjuhën tonë të bukur shqipe, i bie menaxhim i punëve publike. Pra, ata që dalin në zgjedhje e kanë për obligim, sepse marrin besimin dhe taksat e qytetarëve. Në politikë jemi për t’i menaxhuar këto dy gjëra dhe ata duhet të gjejnë zgjidhje për këtë punë, sepse e kanë besimin dhe taksat e qytetarëve," tha Jashari.
Murat Jashari ishte përfolur si kandidat i mundshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, që me sa duket nuk do mbështesë Vjosa Osmanin për një mandat të dytë. Kjo e fundit, e ka bërë të qartë se synon mandat të ri, por Kurti – partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, ka shumicën në Kuvend nuk po e përmendin emrin e saj.
Ai nuk e përjashtoi kategorikisht, por vuri në dukje se do të ishte e kotë që partia të propozonte një kandidat, pasi e vetme mund të sigurojë maksimumi 66 vota – shumë larg numrit prej 80 votash të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi – në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






