Transmetuar më 25-02-2026, 20:10

Fermerët që jetojnë në zonat rurale dhe merren me bujqësi përfshihen në skemën e Marrëveshjes së Paqes Fiskale, duke përfituar lehtësime për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Sipas rregullave në fuqi, të gjithë ata fermerë që kanë vite të pambuluara dhe vendosin të paguajnë kontributet brenda këtij viti, përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat. Kjo u jep atyre mundësinë të plotësojnë periudhat e sigurimit pa penalitete shtesë.

Eksperti i sigurimeve shoqërore, Kujtim Hoxha, shpjegon se qytetarët në fshat që posedojnë tokë bujqësore dhe kanë periudha të pasiguruara mund të përfitojnë nga kjo skemë. Sipas tij, masa e kontributeve për fermerët në zonat fushore është 420 mijë lekë të vjetra në vit, përfshirë sigurimet shëndetësore, ndërsa për banorët e zonave malore është 280 mijë lekë të vjetra, ose rreth 33.3% më pak.

Ndërkohë, krahasuar me të vetëpunësuarit në qytet që paguajnë sigurime vullnetare, diferenca është e konsiderueshme. Aktualisht, një i vetëpunësuar në zonat urbane paguan rreth 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra në vit për sigurime, shumë dukshëm më e lartë sesa ajo e fermerëve.

Për të përfituar pension të plotë pleqërie, fermerët duhet të plotësojnë vitet e nevojshme të sigurimit, ndërsa skema aktuale u krijon mundësinë të rregullojnë vitet e prapambetura me kosto më të ulët.

Gjithashtu, përfitimi nga skemat mbështetëse të Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kushtëzohet me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në mungesë të tyre, aplikimet për subvencione refuzohen.

Autoritetet theksojnë se kjo nismë synon formalizimin e sektorit bujqësor dhe rritjen e numrit të përfituesve të pensioneve në zonat rurale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit