

Policia e Tiranës njoftoi sonte se ka dështuar ta arrestojë ndaj e ka shpallur në kërkim mësuesen që kishte tmerruar me sjelljen e saj bulizuese, me dhunë verbale dhe fizike, nxënës të klasës fillore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 shpallën në kërkim shtetasen Mine Hasani 58 vjeçe, pasi, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”, si dhe me veprimet e tjera hetimore të kryera, dyshohet se gjatë zhvillimit të procesit mësimor në një shkollë 9-vjeçare, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve.
Po punohet për kapjen e 58-vjeçares dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Më herët sot reagoi ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro: Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit. Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë”, thotë Kumbaro.
Ministrja bën me dije po ashtu se hetimi administrativ vazhdon me të gjithë zinxhirin komandues dhe me analizë të thelluar.
“Jo vetëm për të marrë masa ndaj një personi që nuk e meriton titullin mësues, por edhe për të kuptuar se cilat janë boshllëqet në zinxhirin e drejtimit, rolin e psikologëve dhe të drejtuesve të shkollës”, tha ajo.
Nga pamjet e siguruara me kamera të fshehtë, shihet se si mësuesja i godet fizikisht nxënësit, si edhe përdor gjuhë fyese, kërcënuese dhe degraduese ndaj tyre. Në një monitorim prej më shumë se një jave, rezulton, se shprehjet si “ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni”, ishin “buka e përditshme” e mësuese Mines.
Mësuesja kujdestare e shkollës 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë”, Mine Hasani, përmes pamjeve të siguruara me kamerë të fshehtë, është dokumentuar dhuna sistematike, fizike dhe verbale, që mësuesja ushtronte mbi nxënësit e mitur të ciklit fillor.
Monitorimi prej më shumë se një jave ka zbuluar një realitet të frikshëm brenda mureve të klasës. Mësuesja Hasani nuk kursen goditjet fizike ndaj fëmijëve 9-vjeçarë, ndërsa fjalori i saj është i mbushur me terma degradues dhe kërcënues.
Sipas pamjeve, shprehjet që përdoren rregullisht ndaj nxënësve janë fyerje të reja, nga “idiotë”, “kafshë”, te “zhulasa” e “kokë palarë”.
Prindërit thonë se dhuna nuk është rast i izoluar, por praktikë e përsëritur, për të cilën janë ankuar disa herë në Drejtorinë e Shkollës, pa marrë zgjidhje.
“Ta plas kokën, veç hani e dh*ni, kafshë, idiote”, dhuna e mësueses në klasë

Në një monitorim prej më shumë se një javë, rezulton, se shprehjet si “ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni”, janë “buka e përditshme” e mësuese Mines.
(Dita e parë)
Mësuesja – Gjej trekëndëshin! Trekëndëshi është këtu. Tek cila koordinatë? Tek cila koordinatë?
Nxënësja – 4!
Mësuesja –4 hë? Tek cila koordinatë është?
Mësuesja –Vazhdo! Vazhdo! Te libri! Çfarë thotë libri? Çfarë thotë poshtë? E lexon këtej poshtë këtu? Ça thotë kjo këtu? E ke lexu, apo ta plas kokën?
Nxënësi – Auu…!
Mësuesja –Ça thotë këtu? Ça thotë? Çar thotë mor, çar thotë? A lexon?
Nxënësi – Bashko pikat A!
Mësuesja –Po bashkoji pikat! Hë, bashkoji pikat! Bashkoji pikat!
Mësuesja –Mos shifni Flxxx, atë budallain! Ky është i metë, është i metë, i metë.
Mësuesja –Qysh je tu bo? Hajde këtu! Hajd’! Merre fletoren! Merre librin! Merre librin! Kush t’i ka mësu atje te shpija? Ke mësu? Ke bërë hazër ti?
Mësuesja –Sa është ora? Do ta dish orën ti? A do ta dish orën? E pe? S’të shtyhet ora? Ke për të shku në zyrë? Ke për të shku në zyrë? Ça thashë unë? I bëne ato, që të thashë unë? Po me bo gabim, unë ta marr shpirtin! Mos hajd’ më…! Ta marr shpirtin!
Mësuesja –I ke bashku pikat? Çfarë thotë libri? I keni bashku pikat? Ça ke bo për detyrën, hë…? Ça thotë libri? S’e ke bo, hë? S’e ke bo, hë? S’e hap librin! Hiqe dorën, hë! S’e ke bo, hë? S’e ke bo? S’e ke hap librin. S’e ke hap librin.
Mësuesja –Exxxx! Hajde këtu! Hajde këtu! S’e paske mësuar librin. Cilën do, që këtu? Herë 6. Sa bëjnë 4, hë? Uh, të marsh… Shko! Shko! Dreqin me gjithë libër!
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” në Tv Klan tregoi terrorin sistematik të mësueses ndaj nxënësve, edhe në ditën e dytë.
(Dita e dytë)
Mësuesja –Atëherë silluni përpara të gjithë! 2,4,6,8! Kujt i mungon fletorja? Kujt i mungon fletorja? Të ngrejë dorën! Për veç Bxxxx, i mungon njeri tjetër? Rxxxx, i keni të gjithë fletoret? O, Axxxx, hë vazhdo, bëj detyrën ti! Mandej tu hap sytë! (Nuk kuptohet), Gjë e keqe! Tani, dëgjoni këtu! Mbylle librin! Futeni librin poshtë! Do ta lexojmë mësimin, tekstin e… (Nuk kuptohet) Kur të kemi pushimin e shkurtër, presim! Te pushimi i gjatë, ik! Dakord?
Mësuesja –Hajde, vazhdo aty! Fillove ti! Përditë të njëjtën gjë. Vazhdo, shkruaj! Tangërlliqet e juaj!
Mësuesja –Hajde shkruani juve, se do t’ju bëj një foto, se ma kërkon dikush! Ta bëj bukur! Shkruani! Artista!
(Nxënësit i bëjnë intervistë mësueses në orën e mësimit)
Nxënësja – A mendon, se nxënësit e tu do t’ia dalin? Kur të rriten, të bëhen të zotë?
Mësuesja –Po! Mendoj, se nëse ata do të kenë vullnetin e fortë, për të arritur diçka, mund t’ia arrijnë, sepse unë shof në sytë e tyre shkëlqimin dhe dashurinë, që u falin prindërit e tyre.
Nxënësja – Më thuaj, kush t’i ka ngelur thinjat më shumë?
Mësuesja –Më shumë? Ti! (Qesh) Ti m’i ke nxjerrë thinjat, sepse sot, kur bëmë orën e diktimit, nuk po më shkruje si gjithë të tjerët. Dhe kur s’gjetëm fletën e, fletoren e diktimit u mërzite dhe ishe shumë… E mërzite dhe mësuesen. Gjithmonë edhe kur kemi fatmirësi edhe kur kemi fatkeqësi, ne duhet të bëhemi të forta dhe t’ia dalim mbanë! (Qesh)
(Dita e tretë)
Mësuesja –Kush nuk e ka mësuar vjershën “Era dhe Flamuri”? Në këmbë! E di vjershën? “Era dhe Flamuri”. Ti e di? Ti? Ti? Jo! Ti, nuk e di? Ju, nuk e dini? Pa e mësu, nuk ikni në shpi!
Mësuesja –Pse s’e ke mësu ti? A ç’ke modhi, a ç’ke marrë një ves ti, ke ra komplet. O bo, bo, bo…. Ça bën më gjithë ditën? A vjen, a shkon në punë? Ça bën gjithë ditën? Ça bën gjithë ditën? Rri tu lujt ti? Rri tu lujt? Do t’ju shkruj te grupi.
Mësuesja –Fxxx, na e thuj vjershën! Çfarë ke bo? Ke lujt gjithë ditën? Një javë! Të dy vjershat t’i mësosh! Të dyja do t’i mësosh! Turp të të vije! Turp! Gjithë këto gabime! Shih! Në klasë të dytë, nuk bëhen gjithë ato. U të plaçin turinjtë me gjithë mu! Ju hangërt dreqi, ju hëngërt! Ma shpifët! Shpifsina! Shpifsina! Hidro! Çfarë kishte hidroja? Çfarë kishte si lëndë të parë? Çfarë kishte?
Nxënësit – Ujë, ujë!
Mësuesja – Ku është uji?
Nxënësi – Nëpër fusha?
Mësuesja –Uaa. Ju jeni (far fije), Uaaa, ju jeni të mbarum, mësuese. Si ju nuk kam pa?! Kaq të trash jeni juve? Ju jeni na! (I bie dërrasës). Po s’thithni hiç mo, ju… Zero jeni! Jeni na…! Hani e dhjeni! Shkoni atje në banjo, për të hëngër. Veç për këto jeni ju. Pisa! Mos më zbardh dhëmbët, se ta rras turinjve! Rrini, hani, hani, veç hani. Të vejë ora 12-të e dy të hani, hani, luni, tërbohuni, kur delni në fizkulturë. Tërbohuni! Kaq jeni! Për t’u tërbu.
Mësuesja –Hë, vazhdo përgjigju! Çfarë shikon tek fotoja e parë? M’u përgjigj, se ta plasa! Çfarë shikon? Ke sy ti? (Nuk kuptohet). Idiote! Çfarë ka këtu, thoj mësueses? Çfarë ka këtu?
Mësuesja –Çfarë ke? Çfarë ke? Çfarë keni ju?
(Dita e katërt)
Mësuesja –Kjo është drejtëza e simetrisë. Gjeje simetrinë e pikës A! Ku është? Ëxxxxx, hajde Exxxxx! Merre shkumësin e kuq Exxxx! Jo, blunë, blunë Exxxxx. Vendose … Exxxx!
Mësuesja – Kush e ka gabim?
Nxënësit – Exxxxxx!
Mësuesja –U të martë mortja, të marrtë! Shko! Të hëngërt mortja! E din, apo jo? A e din, a jo? Tani kujdes simetriken e shkronjës u! Hë vazhdo. E ka bo bukur?
Nxënësi – Po!
Nxënësit – Jo! Mësuese, mësuese!
Mësuesja –Hajde Ëxxxxx rregulloje gabimin! Merre shkumësin! Rregullojë, hë! O do ta mbys fare, o do të mbys fare! O të plaçin turinjtë, o shtazë, o kafshë, o kafshe! O kafshë!
Nxënësit – Mësuese, mund ta bëj unë?
Mësuesja –O kafshë, kafshë! Të plaçin turinjtë, o rrugaç! Merr shkumësin blu me mësuesen! Merre blunë! Hë! Kush është U-ja? Këtu e ke! Të lutem! Këtu kam bo unë. Gjeje këtë! Si të del, si me pas pi raki! Shko atje! Shko!
Nxënësit – Mësuese, të lutem! Mësuese, të lutem!
Mësuesja –Një copë rrugaçi më je bo. Një copë rrugaçi. Një copë rrugaçi je bo. Kjo me këtë bashkohen, kjo me këtë bashkohen. E morët vesh, ti dhe ti? Do ua kapi kaptinat kshu, bllau, bllau, bllau, të treve! Shko, ulu e mëso! Shko, ulu e mso! Shko, ulu e mëso! Ec! Ec!
“Zhulsa, idiote, lopë, arushë e rënë në qytet”, mësuesja terror nxënësve të mitur

Lidhur me dhunën fizike dhe psikologjike, që mësuesja Mine Hasani e shkollës 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, përdor ndaj nxënësve, instalimi për ditë me radhë i kameras së fshehtë ka sjellë materiale shokuese.
Nga pamjet e ditëve të tjera rezulton, se mësuesja u drejtohet fëmijëve, me shprehje si: “zhulsa, idiotë, kokë lopë, rob të trashë, terroristë, apo arushë e rënë në qytet.
(Dita e katërt)
Mësuesja – Te zero katra! Te zero katra! A jam te zero katra? Ku te zero katra është ajo? Ku është? Ku a-ja, ku është?Nxënësit – Mësuese me leje? Ta bëj unë?
Mësuesja –Ku është a-ja? Ec! Këtu, këtu! Ku shkon? Zhulsat e dreqit! Kur foli unë, më dëgjoni mua! Nuk jam tu u vra. Se u them unë jeni qorru, nuk jeni bo qorra me dy sy, po s’e keni pa. Sytë i keni si drita. Shkëlqeni të gjithë! Unë jam me katër sy. Opa… Jam me katër. Kjo b-ja me b1-shin, a janë simetrike?
Mësuesja – S’paske mësu kurrgjo o idiot! O kokë lopë! O kokë lopë! Lopë, lopë! Hë, rri mirë!
Mësuesja –A s’e keni me mësuesen fare… (Nuk kuptohet) u ndatë më shumë se 90-të deri mbi 90-të .. Rri mo mir tashi, se më lodhe! Rri o, se m’u tha fyti! Nuk jam si ty mor, tërë kohën m’u tha fyti, ore! Njeri jam dhe unë, nuk jam robot.
Mësuesja –Po ky e ke bo ti te dyshi? Moj, dy të raftë topi mu në lule të ballit! Ngjit me njishin, këtu, këtu është. Të marrtë dreqi, ju marrtë, se ma shpifët! Ku o D1-shi? Ku o D1-shi? Hë! Vazhdojmë! Ku o D1-shi? Hë vazhdojmë. Ku o d1-shi? Uaaa, ju jeni na, moj mësuese! ( I bie dërrasës)
Mësuesja –Drejtëza është kjo, kurse segmenti është kjo, kur e kufizon. Ik mo, se s’merrem… S’mbushem me ju. Ju jeni s’mbushni. Ju jeni veç të hani, hani.
(Dita e pestë)
Mësuesja –Pushtuesit Osmanë ishte ushtria turke. Shif te libri, se ta hëngra shpirtin! Merre lapsin! Gjë e keqe!
Mësuesja –Shkruj këtu! Veri, Jug, Lindje, Perëndim! Shkruji! Shkruji! Sepse para meje je, për të mësuar jam. Ma shpifët! Rob të trashë, s’kuptojnë kurrgjo. Ku është fillimi? Veri është fillimi? Ku është? Ku është? Ku është fillimi? Ku është fillimi?
Mësuesja –Ku po shkon? Ku po shkon? Ku je tu shku më? Ku je tu shku? Hë, thuj! Ku? Ku je tu shku tashi? Po këtej, si quhet?
Nxënësja – Veri!
Mësuesja –Veri!
Mësuesja –Veri, Jug, Perëndim, Lindje.Të plaçin turinjtë, të plaçin! Të plaçin turinjtë, të plaçin! Çe, çe, çe, çe, oj terroriste, oj tangërlliste! Një ditë po, një ditë jo. Fytyrë e keqe! Shko ulu! Gjë e keqe! Ra arusha në qytet!
Mësuesja –(Këndon) Trim mbi trima ishte Mic Sokoli apo Skënderbeu? Skënderbeu, trim mbi trima ishte Skënderbeu. Ahhhh, e ka bo bukur ky.
Mësuesja –Ky, shife, shife, si e ka librin! Pa plotësu fare. Ky shkencëtari, ky docenti, kjo doktor… Ky ka mbaruar doktoraturën, ky! Ja, ja libri bosh! Ah, mos më ardhtë, mos më ardhtë mbas pushimit prindi, mos më ardhtë, po s’ta mora shpirtin!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






