

VELIPOJË- Banorët e Baks Rrjollit kanë hyrë sot në ditën e 24-të të protestës. Mësohet se një përplasje me forcat e policisë ka çuar në lëndimin e një prej protestuesve, i cili është transportuar me urgjencë në spital. Banorët janë shprehur të vendosur se nuk do të tërhiqen nga tokat që i konsiderojnë të tyret.
Ndërkohë, një nga përfaqësuesit e banorëve ka deklaruar para të pranishmëve, se qëndresa e tyre nuk është thjesht një protestë. Protestuesit i dërguan një mesazh të qartë edhe palës që pretendon të ndërtojë në atë truall. Me një vendosmëri të palëkundur, banorët zotohen se do ta vazhdojnë rezistencën deri në fund.
"Sot është dita e 24-të që jena në protestë në tokat tona. Kjo nuk është protestë, kjo jemi në venin tonë, jemi në tokat tona. Jo 24 ditë, po do të bëhen shumë e shumë ditë që ne do japim prezencën tonë fizike e me e me dinjitetin tonë. Se ne e dimë se ky vend i kujt është. E dinë të tanë, tanë dynjaja. Ne prej këtij vendi nuk dalim e nuk ikim për se tjetër.
Se na këtu na kanë lënë të parët tonë, kena le ne, na kanë le fëmijët tonë e do lejnë edhe fëmijët e fëmijëve tonë në këtë vend. Edhe kështu ta marrin vesh ata zotnitë që janë përzie në këto histori, në këto falsifikime e në këto gjëna, se për kollaj nuk kanë me na zhduk. Të tanë këta rob, të tanë janë të lemi këtu. E mos t’u shkojë në mendja se kanë me na zhduk prej këtu.
Sot ka qenë një ditë përplasje me policinë, kemi patur gjëra jo të vogla, por serioze. Ka ardhë ambulanca, na e kanë marrë vëllanë tonë, na e kanë çu atje te spitali. Inshalla do ndihmojë i madhi Zot e nuk ka ndonjë gjë serioze edhe vjen. Po desha me i thënë vetëm atij zotnisë se s’du me ia përmend emrin, atij që i ka hedh lekët këtu për me ndërtu në venin tonë.
Mos i shkojë në mendja se ka me ndërtu pa na llogarit ne, se ne jena të llogaritshëm. Ne mos kujtojnë se nuk jena të pallogaritshëm. Ne jena të llogaritshëm e dinë të tanë njerëzit se ne jena këtu. E do jena. Përpara burra, vëllezër e motra, të tanë, deri në fund të kësaj pune, s’do të dalim. Jo 24 ditë, po 240 ditë do jemi këtu," tha banori.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






