Transmetuar më 25-02-2026, 16:46

Tiranë, 25 shkurt 2026 – Viti 2026 ka nisur me një ecuri negative për sektorin e turizmit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit janar në Shqipëri hynë 552.187 shtetas të huaj, duke shënuar një rënie prej 1,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve në muajin janar regjistrojnë rënie që nga periudha e pandemisë. Për krahasim, në janar 2025 hyrjet e të huajve u rritën me 14,5%, ndërsa në vitin 2024 zgjerimi ishte afro 30%. Ngadalësimi kishte nisur që në vitin 2025, kur rritja vjetore ishte vetëm 6,6%, niveli më i ulët pas pandemisë.

Pas vitit 2022, Shqipëria u kthye në një destinacion të preferuar turistik, me një sezon të zgjatur përtej muajve të verës. Qytete si Tiranë, Berat, Gjirokastër dhe Korçë tërhiqnin vizitorë edhe gjatë muajve të dimrit. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë një kthesë në këtë trend.

Aktorët e tregut e lidhin rënien me motin e pafavorshëm gjatë janarit, që kufizoi lëvizjet, si dhe me rritjen e çmimeve të restoranteve dhe ushqimeve. Ndërkohë, akomodimi vijon të konsiderohet relativisht i përballueshëm.

Sipas INSTAT, gjatë janarit 2026 hynë në territorin e Shqipërisë 1.196.550 shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 3,3% krahasuar me janarin 2025. Në të njëjtën periudhë, 1.343.073 shtetas dolën nga territori, duke shënuar një rënie prej 1,3%.

Në ndarjen sipas shtetësisë, hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 644.363, me rritje 7,8%, ndërsa hyrjet e të huajve në 552.187, me rënie 1,5%. Daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me 3,1% (740.160), ndërsa ato të të huajve ranë me 6,2% (602.913).

Sa i përket qëllimit të hyrjes, 98% e shtetasve të huaj kanë hyrë për arsye personale, tregues që ka shënuar rënie me 1,4% krahasuar me një vit më parë. Hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale janë ulur me 5,7%.

Nga rajonet, Evropa Jugore përbën 88% të hyrjeve të shtetasve të huaj, ndërsa Evropa Perëndimore kontribuon me 6%.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit