

Tiranë, 25 shkurt 2026– Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Në fokus të diskutimeve ka qenë ecuria e reformës zgjedhore dhe hapat që pritet të ndërmerren në javët në vijim. Sipas ambasadorit Gonzato, proceset zgjedhore të besueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare mbeten prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.
Ai theksoi rëndësinë e reformës për rritjen e transparencës në financimin e partive politike, garantimin e pavarësisë së administratës zgjedhore dhe parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale.
Në deklaratën e tij, Gonzato nënvizoi se një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.
Takimi vjen në një klimë të tensionuar politike në vend, ku opozita ka nisur protesta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






