Transmetuar më 25-02-2026, 14:30

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD) me një kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi.

Gjyqtarja akuzohet nga Lamallari se në tejkalim të çdo afati ka vonuar zbardhjen e vendimit të arsyetuar për plot 1 vit, 10 muaj dhe 20 ditë.

Referuar ankesës së mbërritur në rrugë elektronike nga shtetasi E.L, Ministria e Drejtësisë është vënë në lëvizje duke kryer verifikimin e duhur administrativ për çështjen penale me objekt “Kundërshtim i vendimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimin penal”. 1

Në shkresën drejtuar ILD-së, ministri Lamallari argumenton se në fushën penale, neni 430/1 i Kodit të Procedurës Penale, parashikon se, kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai duhet të arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja, me mundësi zgjatjeje edhe për 30 ditë të tjera në rastet e parashikuara nga ligji.

Krahasuar me këtë afat ligjor, rezulton se dorëzimi i vendimit në rastin konkret ka tejkaluar ndjeshëm kufijtë proceduralë.

“Një vonesë e tillë cënon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe ndikon drejtpërdrejtë në realizimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi pengon palët në ushtrimin në kohë të mjeteve të ankimit.

Në këto kushte Ministri i Drejtësisë vlerëson se ekzistojnë elementët e mjaftueshëm për fillimin e procedimit disiplinor për shkelje të detyrimeve procedurale të përcaktuara në nenin 430/1 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në shkresën e firmosur nga ministri, Besfort Lamallari, ku kërkohet fillimi i hetimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi.

Kjo është kërkesa e pestë për ILD e firmosur nga ministri Lamallari prej kur mori detyrën, nga të cilat 4 janë kërkesa për hetim disiplinor dhe një 1 për verifikim ankese.

Ministria e Drejtësisë thotë se po ndjek me vëmendje edhe raste të tjera në gjyqësor, të referuar nga vetë qytetarët e jo vetëm dhe do t’i adresojë menjëherë në institucionet përkatëse, duke konsideruar se respektimi i afateve procedurale dhe standardeve ligjore është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për garantimin e drejtësisë së barabartë për çdo qytetar. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit