Transmetuar më 25-02-2026, 13:36

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi një prononcim për mediat pas takimit me misionin faktmbledhës të Partisë Popullore Europiane (PPE), i përbërë nga përfaqësues të 28 partive simotra.

Berisha e cilësoi vizitën si një zhvillim shumë të rëndësishëm për opozitën, duke theksuar se misioni vjen pas dy rezolutave të PPE-së për Shqipërinë, të miratuara në vitet 2024 dhe 2025, lidhur me zgjedhjet dhe situatën politike në vend.

Ai bëri të ditur se në takim është paraqitur një ekspoze e gjerë mbi problematikat zgjedhore, shtetin ligjor dhe narkoshtetin, por nuk dha detaje, duke iu referuar rregullit të konfidencialitetit “Chatham House”.

Lideri demokrat deklaroi se pret nga misioni rekomandime konkrete dhe mbështetje për kërkesën e opozitës për zgjedhje të lira dhe funksionim të shtetit ligjor. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për asgjësim të sistemit të drejtësisë dhe mbrojtje të zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive.

I pyetur mbi mundësinë e votimit në Kuvend për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të kërkuar nga SPAK, Berisha akuzoi Partinë Socialiste si organizatë kriminale, duke theksuar se ajo mbron zyrtarët e implikuar në korrupsion.

Sa i përket protestës së paralajmëruar më 28 shkurt, Berisha tha se PD po diskuton forma të reja dhe të diversifikuara proteste, duke mos përjashtuar asnjë opsion.

PRONONCIMI I PLOTË

Mision faktmbledhës i Partisë Popullore Europiane. Ju e dini që janë dy rezoluta shumë të fuqishme për Shqipërinë, njëra është miratuar në Maltë në vitin 2024, tjetra është miratuar në prill të vitit 2025, për zgjedhjet në Shqipëri dhe ka qenë kërkesa jonë që të ketë një mision faktmbledhës për të parë në vend të gjitha zhvillimet.

U jemi shumë mirënjohës. Kanë ardhur përfaqësues të 28 partive simotra në këtë mision. Për ne është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Lidhur me bisedimet dhe të gjitha problematikat, këto takime funksionojnë mbi rregullin e konfidencialitetit, ndaj dhe unë nuk kam ndërmend të bëj publike bisedimet që u zhvilluan.

Natyrisht temë qendrore për një opozitë janë zgjedhjet dhe aty u bë një ekspoze.

E keni parë ju librin 1500 faqe me mijëra dokumente. U paraqitën gjerësisht. U diskutua për narkoshtetin, por këto që po ndodhin, asgjësimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto.

Por unë nuk mund të hyj në detaje dhe nuk kam ndërmend, për arsye sepse është rregulli Chatham House që duhet të zbatohet në këto raste.

Çfarë prisni nga ky mision z. Berisha në përfundim të gjithë punës së kryer në Tiranë?

Sali Berisha: Nga ky mision i rëndësishëm presim një përpjekje të re të madhe.

Njëherë presim rekomandime, sepse këta vijnë për të na bërë rekomandime, ne jemi anëtarë.

Por ne presim njëkohësisht edhe një mbështetje të re për kërkesat tona tashmë të njohura që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, që shteti ligjor të funksionojë.

Pra, këto janë pretendimet tona, pa hyrë në detaje.

Natyrisht, vijnë në një kohë shumë kritike, kur Edi Rama faktikisht ose de facto asgjësuar sistemin e drejtësisë në kuptimin e akuzës për zyrtarët e lartë, gjë që është themelore në kuptimin e ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që vjedhin qytetarët.

Edi Rama po mbron veten e tij, po paraqitet sikur po mbron Lubinë, e falënderon që pranoi refuzimin e dorëheqjes nga Rama, por ai ka faktuar me qëndrimet e tij të gjithë shqiptarëve, u ka faktuar të gjithë komunitetit ndërkombëtar se është një hajdut i paskrupullt dhe se është në përpëlitjet e fundit për të mbrojtur vjedhjet, plaçkitjet që ka bërë.

Nuk ka më asgjë që fsheh këtë dëm të tmerrshëm që ai i ka bërë Shqipërisë në këto vite.

Kjo që shihni ju me të gjitha rrugët e ndërtuara prej tyre të çara, të shkatërruara, është dëshmi e dështimit të plotë, total për shkak të vjedhjes të të gjitha investimeve.

Por meqë jam tek rrugët, unë kam shqetësimin më të madh për dhjetëra dhe qindra të sëmurë të zonës juglindore, të cilët anë procedurat e mjekimit në Tiranë se procedurat janë të centralizuara, dhe që sot mbeten pa mjekim pasi Edi Rama për vete udhëton me dy helikopterë në vend që të dërgojë helikopterët, të marrë çdo të sëmurë, t’i shtrojë këtu, t’i mbajë në hotel për kohën që nuk funksionon rruga dhe të garantojë mjekimin e tij.

Por ky nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë dhe është në njëfarë mënyre një krim i rëndë. Nuk janë pak, janë shumë të sëmurë që e kanë procedurën e mjekimit të sëmundjes së tyre në Tiranë. E kryejnë vetëm në Tiranë.

Ditën e nesërme PS mbledh grupin parlamentar. A mendoni se PS do të marrë vendim për të mos votuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, të kërkuar nga SPAK?

Sali Berisha: Ajo është një repart krimi.

Ajo parti ka faktuar shqiptarëve që është mater matrix e krimit në Shqipëri. Nuk ka.

Ajo parti ka krimin substancën, shpirtin, mendjen e vet.

Sepse është ajo parti që ka sjellë këtë situatë, është ajo tolerancë, ajo bashkëfajësi që kanë ata në vjedhje dhe të gjitha, dhe ajo parti nuk është gjë tjetër vetëm parti e krimit.

Aty Sara Mile dhe Arkend Balla janë lule çfarë janë ministrat dhe zyrtarët e tjerë të implikuar.

Prandaj, unë mendoj se mund ta përdorni fjalën parti, por më shumë se çdo gjë tjetër i shkon fjala organizatë kriminale.

A folët me misionin faktmbledhës edhe për protestat që ka nisur PD? Dhe meqë jemi tek protestat, në protestën e 28 shkurtit, a do kursehet parlamenti, duke qenë se duhen shmangur situatat para xhamisë si protesta e shkuar?

Sali Berisha: Tani, çfarë diskutuam me partnerët tanë, miqtë tanë, thashë edhe njëherë, bëhen sipas rregullit Chatham House dhe nuk mund ta nxjerr në publik.

Janë ata që mund të bëjnë një prononcim sepse janë ata faktmbledhës.

Kurse sa i përket, ne kemi mbajtur qëndrimin më korrekt ndaj xhamisë, asnjë protestë, asnjë protestues nuk ka kaluar në segmentin nga Ura e Tabakut tek dera e parlamentit.

I kemi përjashtuar tërësisht nga veprimtaria protestuese.

Por, këta banditë kanë hedhur sasi të pafundme gazi për të revoltuar besimtarët që falnin namazin.

Kanë futur me dhjetëra trupa në tarracat e xhamisë.

Cili është qëndrimi ynë?

Qëndrimi ynë është ky. A e patë sa hodhën gaz në territorin e PD dhe bomba tymuese? Mirëpo ajo është rruga e derës tonë, nga ajo rrugë ne do hyjmë.

Kështu që i garantoj besimtarët se në mënyrë absolute, në territorin karshi xhamisë, PD nuk do zhvillojë asnjë aktivitet proteste.

Por natyrisht i garantoj organizatën kriminale se nuk do mund të mbrojnë parlamentin duke u betuar se gjoja po mbrojnë xhaminë.

Njerëz të pafe, pa din, pa imam, njerëz që vjedhin qytetarët e tyre, nuk kanë asgjë të përbashkët as me besimin, as me xhaminë, as me kishën, as me teqenë.

U dakordësua për llojin e protestës, me datën 28 shkurt?

Sali Berisha: Po dakordësohemi. Ndryshe do jetë.

Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet.

Do eksplorohen forma të reja.

Një nga format? Bllokimi i rrugëve?

Sali Berisha: Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë.

Ne kemi vetëm protestë.

Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë.

Opsionet janë të gjitha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit