

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka folur për rëndësinë e krijimit të një kuadri të ri ligjor për forcimin e kontrollit, transparencës dhe profesionalizmit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjatë mbledhjes së Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Lamallari u shpreh se projektligji synon krijimin e një strukture moderne dhe funksionale. Kjo sipas tij do të garantojë mbikëqyrje efektive të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale.
Sipas tij, Agjencia e re do të ketë për mision parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale brenda sistemit. Gjithashtu do të ketë mision edhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm. Kjo në mënyrë që të garantohet një integritet institucional. Lamallari theksoi para deputetëve se Ministria e Drejtësisë i qëndron variantit të projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Në këtë projektligj, një rëndësi e veçantë i jepet edhe veprimtarisë informative gjurmuese, e cila do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e udhëzimeve të përbashkëta ndërinstitucionale. Kjo duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Projektligji parashikon mekanizma shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe kërkesën për autorizim nga prokurori përpara marrjes së të dhënave nga punonjësit operacionalë. Kjo ka si qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.
Gjithashtu, u riformuluan dispozita që lidhen me emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke forcuar balancën institucionale mes ministrit dhe Kryeministrit, si dhe u vendosën kritere më të qarta për transferimet, komandimet dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
Në fund të diskutimeve, projektligji u miratua në parim dhe vijoi shqyrtimi nen për nen. Sipas Lamallarit kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të një sistemi të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të ekzekutimit të vendimeve penale. Kjo pasi është në shërbim të shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






