

Djali 7 vjeç që iku nga kjo botë dje në mesditë, u përfshi nga një aksident i dyfishtë ndërsa ishte duke lypur dhe shoferët e dy makinave që e përplasën, e fshehën ngjarjen duke marrë arratinë.
Pas veprimeve hetimore, janë identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e dy automjeteve të përfshira në aksident: Tomorr Shukulli, 55 vjeç, dhe Valentina Koltraku, 42 vjeçe.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte 42-vjeçarja. Sipas Policisë, të dy drejtuesit janë larguar nga vendi i aksidentit.
Dinamika e çasteve fatale
Dje në orën 11.20 te rruga Kastriotët, në vendin e quajtur "Treshi", afër shinave të trenit, një fëmijë, djalë 7 vjeç, gjendej si dhe herë të tjera në rrugë, duke lypur, një dukuri që shihet shpesh dhe prej vitesh në shumë rrugë të Shqipërisë.
Në një moment, sapo semafori për makinat është ndezur duke u bërë jeshil, ka ndodhur aksidenti fatal.
Atë çast, 7-vjeçari ka marrë disa monedha që i ka dhënë drejtuesi i automjetit, Tomorr Shukulli, të cilat i kanë rënë në tokë.
Fëmija ka dalë para makinës për t’i marrë, dhe në atë moment është ndezur jeshilja e semaforit, duke u aksidentuar. Duket se 55 vjeçari nuk e ka parë të miturin që është ulur dhe pa dashur, e ka përplasur.
Goditja fatale ka ardhur nga makina e dytë, ku fëmija ka përfunduar poshtë rrotave.
Shoferi i parë është rikthyer dhe e ka transportuar fëmijën në spital, duke deklaruar se nuk e ka përplasur ai fëmijën.
55-vjeçari Tomorr Shukulli raportohet se ka ndaluar makinën pas dëgjimit të britmave të kalimtarëve. Ai ka dërguar fëmijën në Spitalin e Traumës, por atje ka deklaruar se nuk ka qenë ai që e ka përplasur fillimisht, por e ka kuptuar pas britmave të njerëzve në rrugë dhe ka reaguar duke e çuar në spital.
Policia dha këtë deklaratë mbi këtë pjesë të hetimit: "Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit".
Valentina Koltraku, 42-vjeçarja, shofere në makinën e dytë që ka qenë e përfshirë në aksident, ka vijuar rrugën dhe është larguar.
"Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari Tomorr Shukulli dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja Valentina Koltraku. Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit", tha policia.
Zbardhja e ngjarjes është mundësuar nga kamerat e vendosura në zonë dhe dëshmitë e qytetarëve.
Pak orë më vonë është gjetur një kamerë me pamje të qarta që tregon dinamikën e aksidentit.
Autoritetet dyshojnë se 7-vjeçari në momentin e përplasjes ka qenë duke lypur në rrugë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






