

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur i skenës dhe filmit shqiptar, Zhani Ziçishti, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në teatrin dhe kinemanë shqiptare.
I lindur më 31 maj 1940 në Korçë, Ziçishti u formua profesionalisht në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve. Pas përfundimit të studimeve, ai iu bashkua trupës së Teatrit “A.Z. Çajupi”, ku interpretoi për vite me radhë në role të ndryshme, si në drama ashtu edhe në komedi, duke u vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin në skenë.
Në kinematografi debutoi me rolin e mësuesit Agron në filmin “Lumë drite” në vitin 1970. Gjatë karrierës së tij realizoi 16 role në filma artistikë, duke ndërtuar një profil të qëndrueshëm në ekran dhe duke u bërë pjesë e historisë së artit skenik dhe filmik në Shqipëri.
Zhani Ziçishti kujtohet si një aktor i përkushtuar dhe një figurë me ndikim në kulturën shqiptare, me një trashëgimi artistike që do të mbetet pjesë e memories kolektive.

Kush është Zhani Ziçishti
Zhani Petro (Ziçishti) (1940). Aktor. Lindi në Korçë, më 31 maj. Kreu studimet në shkollën e lartë për aktor "Aleksandër Moisiu", më 1964 dhe fill më pas nisi punë si aktor në teatrin "A,Z.Cajupi" deri në 1994, kur emigroi në Greqi.
Ka luajtur mbi 70 role në skenën e këtij teatri, shumë syresh kryesore e të rëndësishme. Tok me brezin e tij, ai solli një mënyrë të re interpretimi, ku përveçoj vërtetësia e të vepruarit, natyrshmëria, tonet e buta e psikologjike, saktësia e synimeve të personazhit, kundër teatralitetit dhe këngëzimit të fjalës.
Veti të tilla u bënë pjesë e njëmendësive që u bëri personazheve në pjesët "Vajza pa prikë", "Rrethimi i bardhë", "Shtëpia në rrugicë", "Mësuesi i letërsisë, "Qyteti i akuzuar", "Engjëjt e skëterrës", "Opera për tri grosh", "Kopraci", "Otello". Ka qenë me mbi 15 role, kryesisht të dyta.
E filloi me rolin e mësuesit te filmi "Lumë dritë" për të mbërritur në disa figura të realizuara si Gregori Graf te "Flamur në dallgë (1977). Jani te "Nga mesi i errësirës" (1978), Resuli te "Vajzat me kordele të kuqe" (1978), avokati te "Një jetë më shumë" (1986), nëpunësi te "Rikonstruksioni" (1988) etj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






