Transmetuar më 25-02-2026, 10:48

Pano Ruçi ka ngritur akuza ndaj autoriteteve greke në lidhje me procesin e zhvarrimit të të birit, viktimë e aksidentit hekurudhor në Tempi tre vite më parë.

Denis Ruçi ishte një nga viktimat e tragjedisë hekurudhore që tronditi Greqinë. Babai i tij deklaroi se procesi i zhvarrimit, të cilin e kërkoi vetë dhe e fitoi pas disa javësh protestë dhe greve para Parlamenti i Greqisë, po përballet me pengesa serioze procedurale.

Në një intervistë për televizionin ANT1, në emisionin “Mirëmëngjes Greqi”, ku ishte e pranishme edhe avokatja e familjarëve të viktimave, Mary Hadjikonstantinou, Ruçi deklaroi se vendimi për shtyrjen e zhvarrimit u njoftua me vonesë dhe pa afate të qarta për veprim.

Sipas tij, procedurat janë përshpejtuar për familjarët, por mungojnë ekspertët dhe infrastruktura e nevojshme për analizat e kërkuara. “Prisnim që prokurorja e Larisës të caktonte një ekspert dhe një mjek ligjor, më pas të caktonim edhe ne ekspertin tonë, por kjo nuk ndodhi. Nuk ka laboratorë të përshtatshëm për analizat që kërkojmë dhe nuk ka mjekë ligjorë për t’i kryer ato,” është shprehur ai.

Në të njëjtin kontekst, avokatja Hadjikonstantinou ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të trupave pas aksidentit dhe kohën e gjatë që ka kaluar deri në procesin e zhvarrimeve. Ajo theksoi se mbledhja e trupave nga vendi i ngjarjes, sipas pretendimeve të familjarëve, nuk është kryer në mënyrë të besueshme.

Pano Ruçi ka shprehur dyshime nëse trupi që ka varrosur i përket vërtet djalit të tij dhe ka kërkuar riekspertim të plotë, duke përfshirë analizën e ADN-së dhe hetim të detajuar mbi shkaqet e vdekjes.

Autoritetet greke nuk kanë reaguar ende publikisht lidhur me këto pretendime.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit