

Ka nisur zyrtarisht mëngjesin e kësaj të mërkure puna për demontimin e urës së Dragostunjës, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, pasi struktura u dëmtua rëndë nga rrëshqitja dhe fundosja e tokës.
Ura pësoi dëmtime të pakthyeshme pas një lëvizjeje të fuqishme të masivit të dheut, e cila destabilizoi themelet dhe e bëri të pamundur çdo ndërhyrje riparuese. Specialistët në terren konfirmuan se zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë nxjerrë jashtë funksioni strukturën ekzistuese, duke e kthyer atë në një rrezik potencial për qarkullimin dhe sigurinë publike.
Procesi i demontimit po kryhet me mjete të rënda dhe nën masa të rrepta sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit. Zona vijon të konsiderohet me risk të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e tokës raportohen ende aktive në disa segmente përreth.
Shembja e urës në Dragostunjë ka thelluar krizën e qarkullimit në këtë arterie të rëndësishme lidhëse, duke izoluar përkohësisht komunitete të tëra dhe duke devijuar trafikun në rrugë alternative rurale, të cilat nuk përballojnë fluksin e lartë të automjeteve.
Autoritetet pritet të hartojnë një projekt të ri për ndërtimin e një strukture më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike të zonës. Ndërkohë, banorët kërkojnë transparencë për afatet e ndërhyrjes dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë, në mënyrë që të rikthehet normaliteti në një nga segmentet më problematike të qarkut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






