Transmetuar më 25-02-2026, 08:58

Sizmologu Rrapo Ormeni ka reaguar pas tërmetit me magnitudë 4.3 që goditi mbrëmjen e së martës zonën e Belsh, duke theksuar se nuk ka vend për panik.

Lëkundja sizmike u regjistrua rreth orës 20:00 dhe u ndje në disa qytete të vendit, përfshirë Lushnjën, Elbasanin, Tiranën dhe Beratin.

Në A2, Ormeni bëri të ditur se epiqendra e tërmetit ishte 6 kilometra në perëndim të Belshit dhe 11 kilometra në lindje të Lushnjës, 23 kilometra në jugperëndim të Elbasanit dhe 36 kilometra në jug të Tiranës.

Sipas tij, tërmeti është ndjerë më fuqishëm në zonën epicentrale, në Belsh dhe Lushnjë, me intensitet 5 ballë. Ndërsa në Elbasan, Tiranë dhe Berat është raportuar me intensitet 4 ballë. Ai konfirmoi gjithashtu se pasgoditjet kanë qenë dy.

“Nuk ka vend për panik. Është një tërmet me magnitudë mesatare, i cili është shoqëruar me dy pasgoditje,” u shpreh sizmiologu.

Ormeni theksoi se zona Lushnjë–Elbasan–Dibër përbën një nga segmentet më aktive sizmiologjike në vend, për shkak të një thyerjeje të madhe tektonike që shtrihet nga Vlora–Fieri–Lushnja–Dibra dhe vijon deri në Tetovë e Gjilan. Në këtë segment, sipas tij, gjenerohen herë pas here tërmete.

Ai shtoi se tërmetet që kalojnë magnitudën 4.5 zakonisht mund të shkaktojnë dëmtime materiale, ndërsa lëvizjet tektonike me magnitudë rreth 5 ballë mund të ndikojnë edhe në çarje të tokës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit