

Të paktën 29 persona kanë humbur jetën dhe rreth 40 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas rrëshqitjeve masive të dheut të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Brazil, sipas autoriteteve lokale dhe shërbimeve të emergjencës. Epiqendra e tragjedisë është qyteti Juiz de Fora, në shtetin Minas Gerais.
Në zonën e Parque Bournier, në një kodër të qytetit me rreth 540 mijë banorë, një rrëshqitje dheu shkatërroi rreth një duzinë shtëpish. Numri i viktimave në këtë zonë ka arritur në të paktën 22. Shtatë persona të tjerë humbën jetën në përmbytje dhe rrëshqitje toke në qytetin fqinj Ubá.
Kryetarja e bashkisë së Juiz de Fora, Margarida Salomao, shpalli gjendje katastrofe në orët e para të mëngjesit, duke e cilësuar situatën si “serioze” për shkak të reshjeve intensive dhe të vazhdueshme që kanë shkaktuar rreth 20 rrëshqitje toke.
Qyteti po përjeton shkurtin më të lagësht në historinë e tij, me 584 milimetra reshje – gati dyfishi i mesatares vjetore. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë mes kushteve të vështira dhe rrezikut për rrëshqitje të reja.
Koordinatori i mbrojtjes civile në Minas Gerais, Paulo Huberto Bermudez Hezence, paralajmëroi se me kalimin e orëve shanset për të gjetur të mbijetuar zvogëlohen ndjeshëm.
Ndërkohë, presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, deklaroi se prioritet është shpërndarja e ndihmës humanitare, rikthimi i shërbimeve bazë dhe mbështetja për familjet e prekura.
Brazili është përballur vitet e fundit me ngjarje ekstreme të motit. Në vitin 2022, një stuhi e fortë në Petropolis, në shtetin Rio de Janeiro, shkaktoi 241 viktima, ndërsa në vitin 2024 përmbytjet në jug të vendit lanë mbi 200 të vdekur dhe miliona të prekur.
Ekspertët paralajmërojnë se shumica e këtyre katastrofave lidhen me efektet e ndryshimeve klimatike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






