

Zbardhen rrethanat e aksidentit tragjik në rrugën “Kastriotët”, arrestohen dy drejtuesit e mjeteve
Tiranë, 24 shkurt 2026 – Policia ka zbardhur autorësinë dhe rrethanat e aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e sotme në rrugën “Kastriotët”, ku si pasojë humbi jetën një fëmijë 7 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:20, ndërsa menjëherë pas aksidentit u ngrit një grup i posaçëm hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave.
Ajo që dihej në fillim ishte se fëmija u plagos rëndë nga përplasja nga një makinë, por se kush nuk dihej pasi mjeti u zhduk në drejtim të paditur.
Sonte u zbulua se fëmija pësoi përplasje dhe nga një mjet i dytë.
Pas ngjarjes, në urgjencën e spitalit ka mbërritur një makinë e cila ka lënë fëmijën dhe është larguar.
Por vetëm sonte u mësua se personi që dërgoi fëmijën në spital, edhe ai e kishte përplasur fëmijën por nuk kishte treguar se ishte autor i parë.
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e dy automjeteve të përfshira në aksident: Tomorr Shukulli, 55 vjeç, dhe Valentina Koltraku, 42 vjeçe.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte 42-vjeçarja. Sipas Policisë, të dy drejtuesit janë larguar nga vendi i aksidentit.
Bëhet me dije se 55-vjeçari e ka transportuar të miturin në spital, por gjatë veprimeve hetimore dyshohet se ka tentuar të mohojë dijeninë mbi rrethanat e aksidentit.
Gjatë hetimeve janë gjetur dhe sekuestruar të dy automjetet, ndërsa specialistët e qarkullimit rrugor vijojnë punën për dokumentimin e plotë të përgjegjësisë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Komunikata e plotë
Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri.
Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.
Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






