Transmetuar më 24-02-2026, 23:00

Francë- Dy gra që kishin shkuar për ski në rajonin e La Chapelle-d’Abondance, në departamentin Haute-Savoie në lindje të Francës, u gjetën pa shenja jete pasi u mbuluan nga një ortek, duke e çuar në 30 numrin total të viktimave nga ortekët në Europë që prej fillimit të sezonit dimëror.

Sipas autoriteteve lokale, dy gratë nuk u paraqitën në punë të hënën në mëngjes, çka bëri që miqtë dhe kolegët të njoftonin shërbimet e emergjencës. Automjeti i tyre u gjet pranë një qendre skijimi, ndërsa një helikopter i ekipeve të shpëtimit lokalizoi sinjale nga marrës-transmetuesit e tyre në zonën ku kishte rënë orteku.

Ekipet e kërkim-shpëtimit i gjetën viktimat të mbuluara nga dëbora, në thellësi rreth 50 centimetra dhe 1.5 metra përkatësisht. Autoritetet kishin paralajmëruar më herët për një rrezik “të konsiderueshëm” të ortekëve në këtë zonë të Alpeve franceze.

Ngjarja vjen në një periudhë kur disa vende europiane po përballen me rritje të rrezikut nga ortekët për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe luhatjeve të temperaturave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit