

Autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy persona, të cilët dyshohen se kishin planifikuar një sulm ndaj presidentit të vendit, Aleksandar Vučić, si dhe ndaj familjarëve të tij.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të arrestuarit, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
Ministrja e Brendshme e Serbisë deklaroi se të dyshuarit akuzohen për përpjekje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe për përmbysjen e autoriteteve më të larta shtetërore gjatë periudhës dhjetor 2025 – shkurt 2026.
“Ata dyshohet se kanë organizuar një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës së Serbisë dhe përmbysjen e autoriteteve më të larta shtetërore në periudhën nga dhjetori 2025 deri në shkurt 2026, duke organizuar furnizimin me armë dhe një sulm ndaj jetës dhe trupit të Presidentit të Republikës së Serbisë, gruas dhe fëmijëve të tij, me qëllim privimin nga jeta, si dhe një sulm ndaj anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në deklaratën e saj.
Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e të arrestuarve, ndërsa theksojnë se hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të çështjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






