Transmetuar më 24-02-2026, 21:11

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të martën, me shumicë të gjerë votash, një rezolutë në mbështetje të Ukrainës, duke riafirmuar respektimin e kufijve të saj ndërkombëtarë dhe duke shprehur shqetësim për intensifikimin e sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike energjetike.

Rezoluta, e cila nuk ka fuqi ligjërisht detyruese por mbart peshë të konsiderueshme politike, u miratua me 107 vota pro, 12 kundër dhe 51 abstenime. Votimi u konsiderua një test solidariteti ndaj Ukrainës në përvjetorin e katërt të nisjes së pushtimit rus.

Sipas analizës së votimit, Rusia, Bjellorusia dhe Irani ishin ndër vendet që votuan kundër, ndërsa Kina dhe Shtetet e Bashkuara abstenuan. Shumica e vendeve që zgjodhën të mos votojnë pro apo kundër vinin nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

Këshilli i Sigurimit në ngërç për shkak të vetos së Rusisë

OKB-ja nuk ka mundësi të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, pasi Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ka të drejtën e vetos. Këshilli 15-anëtarësh ka qenë i bllokuar gjatë gjithë luftës dhe nuk ka arritur të marrë masa konkrete për konfliktin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Kievit që të vazhdojnë mbështetjen, në një moment kur mosmarrëveshjet mes partnerëve evropianë për një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës kanë zbehur disi mesazhin e unitetit në përvjetorin e luftës.

Ndërkohë, në një tjetër shenjë mbështetjeje në kuadër të OKB-së, dhjetëra vende – mes tyre Franca, Britania e Madhe, Kanadaja, Japonia dhe Peruja – u mblodhën në Gjenevë, në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, për të dënuar shkeljet e Rusisë.

“Çfarë ka bërë dhe vazhdon të bëjë Rusia në Ukrainë shkel çdo parim”, deklaroi ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, gjatë takimit. “Gjithçka që përfaqësojnë Kombet e Bashkuara po cenohet”, shtoi ai. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit