Transmetuar më 24-02-2026, 19:46

Më shumë se 20 nga mijëra të burgosur të ish-organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), të transferuar së fundmi nga Siria në Irak, janë shtetas iranianë, përfshirë edhe kurdë, raportoi agjencia Rudaw, së cilës i referohet Top Channel, duke cituar tre burime të larta të sigurisë dhe inteligjencës irakiane.

Sipas burimeve, Iraku ka transferuar 5.700 të burgosur të ISIS-it nga burgjet e administruara nga kurdët në verilindje të Sirisë, në rajonin e njohur si Rojava. Procesi, që zgjati 23 ditë, është koordinuar me Shtetet e Bashkuara më herët gjatë këtij viti.

Nga numri i përgjithshëm, të paktën 23 persona janë nga Irani dhe rajoni kurd në perëndim të tij, i njohur si Rojhelat. Ndërkohë, 460 prej të transferuarve janë shtetas irakianë, por kjo shifër nuk përfshin persona nga Rajoni i Kurdistanit.

Transferimi erdhi pas avancimit të forcave të ushtrisë siriane dhe aleatëve të saj drejt zonave nën kontrollin e Forcat Demokratike Siriane (SDF).

Një zyrtar nga Qendra Kombëtare për Bashkëpunim Gjyqësor Ndërkombëtar, institucion i lidhur me Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut, bëri të ditur se deri më tani janë marrë deklarata nga më shumë se 500 militantë dhe se procesi vijon çdo ditë. Sipas tij, do të duhen katër deri në gjashtë muaj për të përfunduar hetimet.

Sa i përket mundësisë së ekstradimit të shtetasve të huaj, zyrtari theksoi se çdo person që ka kryer krime kundër qytetarëve irakianë nuk do të dorëzohet në vendin e origjinës, por do të gjykohet në Irak.

Ministri i Jashtëm i Irakut, Fuad Hussein, deklaroi se Turqia ka rënë dakord të riatdhesojë shtetasit e saj.

Ndërkohë, Lama Fadel, drejtuese e Njësisë së Hetimit dhe Kërkimit në Qendrën Kombëtare për Bashkëpunim Gjyqësor Ndërkombëtar, tha se të dyshuarit e huaj po akuzohen sipas Kodit Penal të ndryshuar të Irakut, nr. 111, i vitit 1969. Sipas Nenit 6 të këtij ligji, gjykatat irakiane kanë juridiksion për të gjykuar edhe shtetas të huaj për krime që cenojnë sigurinë kombëtare të Irakut, përfshirë veprat terroriste.

Organizata ISIS kontrolloi territore të gjera në Irak dhe Siri në vitin 2014, por u mposht territorialisht nga forcat irakiane dhe kurde deri në vitin 2019.

Marc Ghorayeb, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, deklaroi se në burgjet e Sirisë ndodheshin 10 shtetas shqiptarë, dy prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Sipas tij, tetë të tjerë pritet të transferohen në burgjet e Irakut.

“Jemi në kontakt me autoritetet e Interpolit në Irak. Nuk jam i sigurt çfarë mund të ketë ndodhur me ta gjatë rrëmujës së fundit në burgjet siriane, por mund t’ju them se ndodhen në burgun Shaddadi”, u shpreh ai për TCh.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit