

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka publikuar udhëzimin që sqaron hapat për të aplikuar rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, pas reduktimit të tatimit nga 15% në 5%.
Hapat për aplikim përmes e-Albania:
Identifikohuni në portalin e-Albania.
Zgjidhni shërbimin “Rivlerësimi i Pasurisë” dhe klikoni “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin”.
Në faqen pasardhëse, zgjidhni pasurinë që dëshironi të rivlerësoni; automatikisht do të shtohet edhe shërbimi “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”.
Ngarkoni dokumentin e pronësisë ose aktin e ekspertimit dhe licensën e ekspertit në format PDF, nëse rivlerësimi është kryer nga një ekspert i licencuar.
Shfaqet tarifa minimale e shërbimit; në përfundim klikoni “Dërgo”. Tarifat e shërbimit:
Tarifa që shfaqet gjatë aplikimit është indikative dhe përllogaritet më pas sipas shumës së tatimit nga rivlerësimi:
Deri në 150,000 lekë tatim → 3,500 lekë
150,001 – 300,000 lekë tatim → 7,000 lekë
Mbi 300,001 lekë tatim → 10,000 lekë
Pas përllogaritjes ose verifikimit të rivlerësimit nga eksperti i licencuar, përcaktohet tarifa e saktë e shërbimit, e cila përfshihet në faturën e e-Albania. Rregullat e rivlerësimit:
Rivlerësimi mund të kryhet ose nga ASHK-ja, sipas çmimeve minimale fiskale, ose nga një ekspert i licencuar.
Në rast rivlerësimi nga ASHK-ja, çmimi bazohet në çmimet minimale fiskale në fuqi dhe në përputhje me udhëzimin e përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.
Baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së rivlerësuar dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë. Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri maksimumi 30%. Për tokat, përdoret çmimi minimal fiskal për metër katror sipas hartës së vlerave në fuqi.
Në rast të rivlerësimit nga ekspert i licencuar, baza tatimore është diferenca midis vlerës së aktit të ekspertimit dhe vlerës së zbritshme; vlera e aktit nuk mund të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal.
Ky proces lejon individët të kryejnë rivlerësimin e pasurisë së tyre në mënyrë transparente, duke përfituar nga ulja e tatimit në 5%.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






