Transmetuar më 24-02-2026, 11:02

24 shkurt 2026– Pas inaugurimit më 19 shkurt në Washington, D.C., Bordi i Paqes ka prezantuar faqen e tij zyrtare në internet, ku janë publikuar edhe 28 shtetet themeluese, mes të cilave figurojnë Shqipëria dhe Kosova.

Sipas informacionit të publikuar, ndër vendet anëtare renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai dhe Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

Në Kartën e Bordit përcaktohen parimet dhe synimet e organizatës, duke theksuar se paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje efektive dhe partneritet të orientuar drejt rezultateve. Dokumenti nënvizon nevojën për një organ ndërkombëtar më të shpejtë dhe më efikas për ndërtimin e paqes, si dhe angazhimin për bashkëpunim praktik mes shteteve anëtare.

Në faqen zyrtare është publikuar edhe një deklaratë e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili shprehet: “Ky Bord ka mundësinë të jetë një prej organeve më veprues të krijuar ndonjëherë”.

Misioni i organizatës përcakton se Bordi i Paqes synon promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Në strukturën organizative parashikohen Bordi i Paqes, Bordi Ekzekutiv, Bordi Ekzekutiv i Gazës dhe Përfaqësuesi i Lartë për Gazën.

Në Planin e Paqes për Gazën janë renditur vendet që do të kontribuojnë financiarisht, ndërsa Shqipëria dhe Kosova përfshihen mes shteteve që parashikohet të dërgojnë trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit