Transmetuar më 24-02-2026, 10:42

24 shkurt 2026 – Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë sot, në orën 11:00, kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest me burg” me një tjetër masë, më të butë.

Seanca do të zhvillohet para gjyqtares Nertina Kosova në Apelin e Posaçëm dhe është përqendruar në vlerësimin nëse janë përmbushur kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë.

Veliaj ka ankimuar vendimin e datës 1 shkurt të gjyqtares Etleva Deda, e cila la masën e arrestit me burg në fuqi, duke kërkuar zëvendësimin e saj me një masë më të butë, përfshirë edhe garanci pasurore.

Në kërkesën e tij, kryebashkiaku ka argumentuar se masa e arrestit është e padrejtë, duke theksuar se nuk i është njohur e drejta për mbrojtje efektive, pasi ende nuk është njoftuar me dosjen hetimore. Ai ka refuzuar edhe mbrojtjen e caktuar nga gjykata, duke pretenduar se kjo avokate nuk ka njohje reale të dosjes dhe nuk përfaqëson strategjinë e tij të mbrojtjes.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurti 2025, kur u urdhërua masa e sigurisë nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK), ndërkohë që vetëm disa muaj më parë çështja u kalua për gjykim. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në disa raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Apeli i Posaçëm do të vendosë nëse Veliaj mund të lirohet nga burgu nën masa alternative deri në zhvillimin e gjykimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit