Transmetuar më 24-02-2026, 08:37

Gjashtë planetë do të duken pothuajse të rreshtuar në qiellin e natës në fund të shkurtit, dhe shumica prej tyre do të jenë të dukshëm me sy të lirë.

Kjo dukuri njihet si “paradë planetare”, që ndodh kur disa planetë duken sikur janë rreshtuar në të njëjtën zonë të qiellit. Në të vërtetë, ata nuk janë në një vijë të drejtë, por ndodhen relativisht afër njëri-tjetrit në të njëjtën anë të Diellit.

Sipas NASA-s, zakonisht pas perëndimit të Diellit mund të dallohen dy ose tre planetë. Raste kur katër ose pesë planetë shihen me sy të lirë janë më të rralla dhe ndodhin çdo disa vite. Vitin e kaluar pati rreshtime me gjashtë dhe madje shtatë planetë.

Kur do të jenë të dukshëm?

Të shtunën, Merkuri, Venusi, Jupiteri dhe Saturni do të jenë të dukshëm me sy të lirë, nëse moti është i kthjellët. Urani dhe Neptuni mund të shihen vetëm me dylbi ose teleskop.

Cila është ora më e mirë për t’i parë?

Dilni rreth një orë pas perëndimit të Diellit dhe zgjidhni një vend larg ndërtesave të larta apo pemëve që mund të pengojnë pamjen. Shikoni drejt perëndimit: Merkuri, Venusi dhe Saturni do të jenë më afër horizontit. Jupiteri do të jetë më lart në qiell, së bashku me Uranin dhe Neptunin.

Si ta kuptoni nëse po shihni një planet?

“Nëse vezullon, është yll. Nëse nuk vezullon, është planet,” shpjegon Sara Mazrouei, shkencëtare planetare në Humber Polytechnic në Kanada në këtë raport të AP që citon noa.al.

Parada planetare pritet të jetë e dukshme gjatë fundjavës dhe disa ditë më pas. Me kalimin e kohës, Merkuri do të zbresë nën horizont dhe nuk do të jetë më i dukshëm.

Sipas NASA-s, të paktën një planet i ndritshëm është i dukshëm pothuajse çdo natë.

Shikimi i disa planetëve njëkohësisht është një mënyrë interesante për t’u lidhur me astronomët e shekujve të kaluar, thotë Emily Elizondo, shkencëtare planetare në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. Sipas saj, astronomët e lashtë përpiqeshin të kuptonin universin “vetëm duke parë yjet dhe planetët”, diçka që edhe sot mund ta bëjmë thjesht duke ngritur sytë drejt qiellit.

Foto: Associated Press

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit