

Tiranë, 24 shkurt 2026 – Pas indeksimit të pagave me 2.5% për punonjësit e administratës publike, Policisë së Shtetit dhe mjekët, përfitues të kësaj mase pritet të jenë edhe punonjësit e sistemit të arsimit parauniversitar, përfshirë mësues, edukatorë të kopshteve, psikologë dhe oficerë sigurie.
Rritja në masën 2.5% do të aplikohet mbi pagën bruto për çdo pozicion pune. Ashtu si për kategoritë e tjera të administratës, për punonjësit e arsimit parauniversitar parashikohet, përveç indeksimit, edhe shtesa mbi pagën sipas vjetërsisë në punë. Efektet financiare të rritjes do të llogariten nga 1 janari 2026.
Rritja e pagave është parashikuar në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshilli i Ministrave, ‘Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar’”, i propozuar nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Në projektvendim theksohet se indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit, në masën 2.5%, dhe do të zbatohet për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të arsimit parauniversitar, njësoj si për funksionarët dhe nëpunësit civilë në institucionet e administratës publike.
“Nëpërmjet këtij projektvendimi realizohet indeksimi në masën 2.5% i elementit të pagës bruto mujore ‘paga për pozicion’. Meqenëse llogaritja e elementit tjetër të pagës bruto mujore, ‘shtesa për vjetërsinë në punë’, aplikohet mbi pagën për pozicion, automatikisht edhe ky element indeksohet me 2.5%, duke e çuar rritjen totale deri në 5.17%”, thuhet në relacionin shoqërues.
Indeksimi i vlerave të pagës për pozicion reflektohet në të tre lidhjet e pagave të vendimit nr. 425/2024, aktualisht në fuqi, për punonjësit mësimorë, për punonjësit e shërbimit psiko-social dhe për punonjësit e tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe ato plotësuese të sistemit parauniversitar.
Gjithashtu, për kategori të caktuara si edukatorë, kujdestarë konviktesh, mësues, punonjës psiko-socialë, oficerë sigurie, instruktorë dhe koordinatorë, të cilët aktualisht kanë një pagë për pozicion nga 58 000 lekë deri në 74 000 lekë në muaj, parashikohet, përveç indeksimit 2.5%, edhe një rritje shtesë e pagës për pozicion. Kjo e çon rritjen totale në rreth 3 000 lekë në muaj, ose nga 4% deri në 5.17%.
Nga miratimi i projektvendimit pritet të përfitojnë rreth 36 390 punonjës mësimorë dhe jomësimorë.
Konkretisht:
Për rreth 30 000 punonjës mësimorë, psikologë, punonjës socialë dhe oficerë sigurie në institucionet arsimore parauniversitare, në varësi të Ministria e Arsimit, efektet financiare llogariten në rreth 114.5 milionë lekë në muaj për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore.
Për 1 500 punonjës mësimorë të sistemit të arsimit profesional, në varësi të Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, efektet përllogariten në rreth 6 milionë lekë në muaj.
Për 4 890 punonjës mësimorë të arsimit parashkollor, të qendrave kulturore të fëmijëve dhe të konvikteve shkollore, efektet financiare arrijnë në rreth 16.7 milionë lekë në muaj për paga dhe sigurime.
Projektvendimi synon ruajtjen e fuqisë blerëse të punonjësve të arsimit dhe përmirësimin gradual të trajtimit financiar të tyre, në përputhje me indeksin e çmimeve të konsumit për vitin 2026.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






