Transmetuar më 23-02-2026, 20:03

Valon Berisha po ngiste makinën direkt përpara automjetit të aksidentuar dhe u bë dëshmitar okular i incidentit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesfushorin shqiptar të FC Zürich, Valon Berisha, pasi kushëriri i tij 38 vjeçar ka humbur jetën në një aksident rrugor në Austri.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi në autostradën Westautobahn, kur furgoni me të cilin udhëtonte 38-vjeçari doli nga rruga dhe u përplas ballë për ballë me një barrierë druri.

Berisha, i cili po udhëtonte me një automjet që ndodhej përpara, e ka parë ngjarjen në pasqyrën e pasme dhe është ndalur menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, së bashku me disa kalimtarë të tjerë.

Pavarësisht përpjekjeve të ekipit të emergjencës, viktima u shpall i vdekur në vendngjarje.

Në një reagim zyrtar, FC Zürich shprehu tronditjen për humbjen tragjike, duke theksuar se lojtari nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aksident, por ishte dëshmitar i ngjarjes.

Klubi zviceran ka shprehur mbështetjen e plotë për Berishën dhe familjen e tij, duke u zotuar se do ta ndihmojë mesfushorin në këtë moment të vështirë personal.

Deklaratë për media e FC Zurich

FC Zurich është thellësisht i tronditur nga një aksident tragjik në Austri, në të cilin një i afërm i ngushtë i lojtarit tonë Valon Berisha humbi jetën.

Vetë Valon Berisha nuk ishte i përfshirë në aksident, por iu desh të ishte dëshmitar i ngjarjes. Në këtë situatë jashtëzakonisht të rëndë, ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen dhe të gjithë të afërmit.

FC Zurich qëndron pranë Valon Berishës në këtë periudhë të vështirë dhe e mbështet atë në çdo aspekt.

Nga respekti për privatësinë e familjes, kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk do të bëjmë komente të tjera përtej kësaj deklarate.

***

Valon Berisha sapo ishte transferuar nga LASK te FC Zürich gjatë merkatos së dimrit dhe të shtunën në mbrëmje zhvilloi paraqitjen e tij të parë si titullar në fitoren 2-1 ndaj Grasshoppers Zürich

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit