Transmetuar më 23-02-2026, 19:29

Hyn në fuqi rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, ja udhëzimi i përbashkët i Financave dhe Kadastrës

Ka hyrë në fuqi procesi i ri i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Udhëzimit të Përbashkët nr. 5, datë 19.2.2026, për zbatimin e ligjit nr. 85/2025 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Udhëzimi mban firmën e ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe të drejtores së përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

Kush përfiton nga rivlerësimi

Të drejtën për të kryer rivlerësimin e kanë të gjithë individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar, ose që do ta regjistrojnë pronësinë deri më 31 dhjetor 2026. Rivlerësimi mund të bëhet edhe për pasuri që janë rivlerësuar më parë në bazë të ligjeve të mëparshme.

Nëse një individ ka më shumë se një pasuri, rivlerësimi kryhet veçmas për secilën prej tyre, raporton noa.al.

Procesi do të realizohet online përmes portalit e-Albania dhe individi mund të zgjedhë mes dy alternativave: – Rivlerësim pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK); – Rivlerësim nga një ekspert i licencuar.

Tatimi dhe baza e llogaritjes

Për të përfituar nga rivlerësimi, individi duhet të paguajë: – Tatimin e rivlerësimit në masën 5% të bazës së tatueshme; – Tarifën e shërbimit sipas kategorisë përkatëse.

Nëse rivlerësimi kryhet nga ASHK, vlera e pronës përcaktohet mbi bazën e çmimeve minimale fiskale në fuqi në momentin e aplikimit, sipas udhëzimit nr. 34/2023 për tatimin e kalimit të pronësisë.

Baza e tatueshme llogaritet si diferenca midis: – Vlerës së re të dalë nga rivlerësimi; – Vlerës së zbritshme (vlera e fundit e regjistruar për të cilën është paguar tatim).

Në rast se rivlerësimi bëhet nga ekspert i licencuar, baza e tatueshme është diferenca midis vlerës së përcaktuar nga eksperti dhe vlerës së zbritshme. Megjithatë, vlera e ekspertit nuk mund të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal.

Për herë të parë njihet amortizimi 1% në vit

Në rastin e ndërtesave, do të aplikohet zbritje 1% për çdo vit të plotë përdorimi, duke nisur nga data e fitimit të parë të pronësisë. Zbritja maksimale nuk mund të kalojë 30% të çmimit të referencës.

Për tokën, çmimi minimal fiskal do të përcaktohet sipas hartës së vlerave në fuqi në momentin e rivlerësimit.

Procedura e aplikimit

Aplikimi bëhet online në e-Albania. Individi duhet të plotësojë të dhënat identifikuese të pasurisë ose të ngarkojë dokumentin e pronësisë. Pas verifikimit nga ASHK, brenda 2 ditëve pune llogaritet tatimi dhe gjenerohet fatura për pagesë.

Pas pagesës së tatimit dhe tarifës së shërbimit, ASHK ka 5 ditë për të pasqyruar rivlerësimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Data e rivlerësimit konsiderohet data e pagesës së tatimit.

Afatet

Aplikimet për rivlerësim pranohen deri më 31 dhjetor 2026. Nëse aplikimi është bërë brenda këtij afati, por nuk është përfunduar, procesi mund të vijojë edhe pas kësaj date, me kusht që tatimi të paguhet deri më 31 mars 2027.

Rivlerësimi për personat juridikë

Edhe personat juridikë që kanë pasuri të paluajtshme të regjistruara në bilancin e vitit 2025 me vlerë kontabël më të ulët se vlera e tregut, mund të kryejnë rivlerësim. Në këtë rast: – Rivlerësimi bëhet nga ekspert i licencuar; – Tatimi 5% llogaritet mbi diferencën mes vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël; – Pagesa kryhet në llogaritë e thesarit të Ministrisë së Financave.

Tarifat e shërbimit për individët pranë ASHK

– Deri në 150,000 lekë tatim: 3,500 lekë tarifë; – 150,001 – 300,000 lekë tatim: 7,000 lekë tarifë; – Mbi 300,001 lekë tatim: 10,000 lekë tarifë.

Dispozita përfundimtare

Pas rivlerësimit, në rast të shitjes së pasurisë, tatimi mbi fitimin do të llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Udhëzimi ngarkon Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për zbatimin e tij dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

I PLOTË/ UDHËZIM I PËRBASHKËT

Nr. 5, datë 19.2.2026

PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË ZBATIMIT TË LIGJIT NR. 85/2025,

“PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”, PËR LLOGARITJEN E BAZËS SË TATUESHME, PARAQITJEN DHE ADMINISTRIMIN E KËRKESËS PËR RIVLERËSIM, PAGESËN E TATIMIT TË RIVLERËSIMIT, RREGULLAT E PROCEDURAT PËR PASQYRIMIN E RIVLERËSIMIT TË PASURISË NË REGJISTRAT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PAGESËN E TË ARDHURAVE NGA TATIMI I RIVLERËSIMIT NË BUXHETIN E SHTETIT, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E TARIFËS SË KRYERJES SË SHËRBIMEVE

Në mbështetje të nenit 102, pika 4, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 3, të ligjit nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, ministri i Financave dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës,

UDHËZOJNË:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME PËR INDIVIDËT

1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026, kanë të drejtë që brenda afatit të përcaktuar në ligjin nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” (këtu e më poshtë “ligji”), të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi, në zbatim të ligjeve të mëparshme të rivlerësimit.

2. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë pranë drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK), apo me një ekspert të licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (5% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e kryerjes së shërbimit, sipas ligjit dhe këtij udhëzimi.

3. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.

II. LLOGARITJA E BAZËS SË TATUESHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË PËR INDIVIDËT

4. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu.

1.1 Çmimi minimal fiskal, bazuar në udhëzimin e përbashkët nr. 34/2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”, do të konsiderohet çmimi i referencës për pasurinë e paluajtshme ndërtesa dhe sipas hartës së vlerave për pasurinë e paluajtshme tokë.

a) Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë.

Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në 2 në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, pika 5, 22/1, 22/3 dhe 22/4 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

b) Në rastin e tokave çmimi minimal fiskal është çmimi për metër katror sipërfaqeje, të përcaktuar në hartën e vlerave, sipas aktit nënligjor në fuqi në datën e rivlerësimit.

5. Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

6. Vlera e zbritshme, si në rastin e pikës 1 dhe në atë të pikës 2 të këtij kreu, është vlera e pasurisë sipas aktit të fundit të regjistruar pranë organit kompetent për regjistrimin e pasurive të paluajtshme (qoftë kontratë blerje, shkëmbim, trashëgimi, dhuratë, heqje dorë, apo rivlerësim i pasurisë së paluajtshme), për të cilin është llogaritur dhe paguar tatimi.

3.1 Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa vlerë, për të përcaktuar vlerën e zbritshme, si vlerë regjistrimi do të konsiderohet vlera sipas parashikimeve të paragrafit 3.2 të udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023.

Konkretisht, në rastet kur nuk mund të përcaktojmë një vlerë të zbritshme, sipas parashikimeve të pikës 3 të këtij kreu, atëherë vlera e zbritshme do të jetë si në vijim:

a) Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara në DVASHK, të cilat nuk kanë vlerë të regjistruar, ose vlera e regjistruar është e shprehur në monedha të tilla, si franga ari, apo napolona floriri, si dhe për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit mbi rivlerësimin, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.

Për ndërtesat e përfituara në rastet e trashëgimisë, dhuratave apo heqjes dorë, për të cilat nuk ka qenë regjistruar vlerë e pronës, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave në datën e regjistrimit të aktit.

b) Për tokën, në të gjitha rastet, nëse nuk ka një vlerë në regjistrim, si vlerë e zbritshme do të merret vlera e llogaritur, duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së vlerave, me inflacionin mesatar vjetor të llogaritur për vitin në të cilin është fituar pronësia, sipas aneksit nr. 1 bashkëngjitur udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023.

III. PARAQITJA DHE ADMINISTRIMI I KËRKESËS PËR RIVLERËSIM NGA INDIVIDËT

7. Individi ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, me kërkesën sipas modelit të shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij udhëzimi. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e shërbimit të rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme ose kartelë jopërfundimtare (për pasuritë që ndodhen në zona që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar).

Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së, e cila është kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.

1.1 Individi në aplikimin online për shërbimin për rivlerësimin e pasurisë duhet të plotësojë

në rubrikat përkatëse të platformës e-Albania, të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet

të rivlerësohet. Nëse individi nuk plotëson rubrikat që identifikojnë pasurinë, ai duhet,

detyrimisht, të ngarkojë në platformë kopje të skanuar të dokumentit të pronësisë që disponon

për pasurinë.

1.2 Punonjësi i drejtorisë vendore të ASHK-së shqyrton aplikimin, duke verifikuar:

a) identifikimin e pasurisë, sipas përcaktimeve të pikës 1.1 të këtij kreu; dhe

b) legjitimimin e individit aplikues.

3

Punonjësi verifikon nëse individi që ka paraqitur kërkesën për rivlerësim (ose i

përfaqësuari) është pronar, apo një nga bashkëpronarët e pasurisë që kërkohet të rivlerësohet.

Nëse nuk përmbushen kushtet e mësipërme, individi njoftohet nëpërmjet platformës, për të

identifikuar pasurinë ose për mosvijimin e aplikimit (në rast moslegjitimimi).

1.3 Nëse aplikimi i përmbush kushtet e pikës 1.2 të këtij kreu, vijohet me llogaritjen e

tatimit të rivlerësimit, sipas rregullave të kreut II të këtij udhëzimi, duke hartuar faturën për

arkëtim brenda 2 (dy) ditëve pune, nga momenti i paraqitjes së kërkesës.

1.4 Fatura për arkëtim plotësohet sipas modelit të shtojcës nr. 3 bashkëlidhur, që është

pjesë përbërëse e këtij udhëzimi. Fatura gjenerohet në mënyrë elektronike nga drejtoria

vendore e ASHK-së dhe së bashku me tarifat e shërbimit, i dërgohet aplikuesit nëpërmjet

portalit qeveritar e-Albania.

1.5 Në rastet kur individi kërkon rivlerësimin e pasurisë sipas aktit të ekspertit, individi

nëpërmjet platformës e-Albania, në dokumentacionin shoqërues gjatë kërkesën për

rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të pasurisë, të

nënshkruar dhe vulosur në mënyrë elektronike nga eksperti, si dhe fotokopje e njësuar e

licencës së tij. Me përcjelljen e këtyre dy dokumenteve, si më sipër, drejtoria vendore e

ASHK-së vijon procedurat për përllogaritjen e tatimit të rivlerësimit dhe i njofton subjektit

vlerën e tatimit të rivlerësimit dhe tarifave të shërbimit.

IV. PAGESA E TATIMIT DHE E TARIFËS SË SHËRBIMIT TË RIVLERËSIMIT NGA

INDIVIDËT

8. Pasi individi ose përfaqësuesi ligjor është pajisur me faturën për arkëtim (shtojca nr. 3

bashkëlidhur këtij udhëzimi), ai paguan faturën për arkëtim dhe drejtoria vendore e ASHK-së

kryen konfirmimin e shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të shërbimit.

9. Pas verifikimit të shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të

shërbimit, aplikimi i individit konsiderohet i plotësuar dhe ASHK-së i lind detyrimi për të

pasqyruar rivlerësimin në regjistrin e pasurive të paluajtshme, sipas rregullave të parashikuara

në kreun V të këtij udhëzimi.

V. RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR PASQYRIMIN E RIVLERËSIMIT TË

PASURISË NË REGJISTRAT E PASURIVE TË PALUAJTSHME

10. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 5 ditëve nga verifikimi i pagesës së tatimit të

rivlerësimit të pasurisë dhe tarifave të shërbimit, duhet të kryejë shënimet përkatëse në

regjistrat e pasurive të paluajtshme, për pasqyrimin e rivlerësimit, nëpërmjet punonjësit të

ngarkuar me këtë detyrë. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të

rivlerësimit.

11. Punonjësi i ASHK-së kryen shënimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme,

bazuar në dokumentacionin tekniko-ligjor, sipas rasteve të parashikuara më poshtë:

2.1 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, figuron e regjistruar në regjistrat

kadastralë dhe ndodhet në një zonë që i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar,

pasqyrimi i rivlerësimit të pasurisë kryhet në seksionin “A” të kartelës së pasurisë.

Në këtë seksion do të regjistrohet data e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shuma e

rivlerësimit dhe arkivohet dokumentacioni në referencën përkatëse.

2.2 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, ndodhet në një zonë që i është nënshtruar

regjistrimit fillestar, por kjo pasuri nuk figuron e regjistruar në regjistrin kadastral, subjekti

fillimisht duhet të aplikojë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania për regjistrimin e kësaj

pasurie, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe të VKM-në

nr. 389/2020, “Për miratimin e listës dhe tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar,

duke depozituar titullin e pronësisë dhe dokumentacionin provues për regjistrim. Vetëm pas

regjistrimit të kësaj pasurie në regjistron kadastral, subjektit i lind e drejta të aplikojë për

rivlerësimin e kësaj pasurie, sipas përcaktimeve dhe brenda afatit të parashikuar në këtë

udhëzim.

4

2.3 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, gjendet në një zonë kadastrale që nuk i

është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, procedohet me pasqyrimin e vlerës së

rivlerësimit në regjistrin përkatës hipotekar apo në kartelat jopërfundimtare, duke pasqyruar

datën e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shumën përkatëse të rivlerësimit dhe

referencën arkivore përkatëse.

Në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar, shënimet e mësipërme të rivlerësimit

pasqyrohen në kartelat e pasurive të paluajtshme, produkt i këtij procesi, në rastet kur titulli i

pronësisë konstatohet se është në përputhje me ligjin. Përjashtimisht, në rastet kur refuzohet

regjistrimi i titullit të pronësisë, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për

kadastrën”, dhe të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në

RSH”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, vlera e rivlerësimit nuk pasqyrohet në

kartelën e pasurisë së paluajtshme dhe shuma përkatëse nuk i kthehet subjektit.

VI. RIVLERËSIMI I PASURIVE TË PALUAJTSHME TË PERSONAVE JURIDIKË

12. Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruara në pasqyrat financiare të vitit 2025, në

zërin aktive afatgjata materiale, pasuri të paluajtshme me vlerë kontabël më të vogël se vlera e

tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin e këtyre

pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga vlerësues

të pasurisë, ekspertë të pavarur të licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e

pasurisë së paluajtshme.

13. Përfaqësuesi i personit juridik paraqet pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku personi

juridik është i regjistruar, dokumentet e mëposhtme:

a) deklarimin vullnetar për rivlerësimin e pasurisë, sipas shtojcës nr. 2 bashkëlidhur këtij

udhëzimi;

b) prokurën për përfaqësuesin ligjor, nëse kjo procedurë kryhet nga një përfaqësues ligjor i

caktuar prej tij;

c) kopje të licencës së ekspertit të pavarur të vlerësimit të pasurisë;

d) kopje të faturës së shërbimit të ekspertit të vlerësimit të pasurisë;

e) aktin origjinal të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të nënshkruar dhe të vulosur nga

vlerësuesi i pasurisë;

f) pasqyrën financiare (bilancin kontabël) të vitit 2025, ku rezulton e regjistruar në zërin

aktive afatgjata materiale, pasuria e paluajtshme që rivlerësohet, përfshirë anekset shpjeguese

për aktivin afatgjatë material që rivlerësohet;

g) kopjen e mandatit të pagesës për vlerësimin e pasurisë, në masën 5% të diferencës,

ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël për pasuritë e paluajtshme të regjistruara

në pasqyrat financiare. Pagesa kryhet në njërën nga bankat e nivelit të dytë për llogari të

thesarit të Ministrisë së Financave, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën nr. 4 bashkëlidhur

këtij udhëzimi.

Personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse

të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës,

të paguar sipas legjislacionit në fuqi.

2.1 Data e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme konsiderohet data e pagesës së kryer, siç

përcaktohet në pikën 4, të nenit 2, të ligjit nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së

paluajtshme”.

2.2 Diferenca midis vlerës që rezulton nga rivlerësimi, sipas aktit përkatës të ekspertit dhe

vlerës kontabël të regjistruar në pasqyrat financiare, regjistrohet përkatësisht në zërin përkatës

të pasqyrave financiare, në përputhje me ligjin nr. 25, datë 10.5.2018, “Për kontabilitetin dhe

pasqyrat financiare”, si dhe në përputhje me ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të

ardhurat”, të ndryshuar. Kjo vlerë nuk është objekt amortizimi për qëllime tatimore.

2.3 Pasqyrave financiare për rivlerësimet që kryhen brenda periudhës gjatë së cilës i shtrin

efektet ligji, sipas nenit 4 të tij, u bashkëlidhen pasqyrat analitike të vlerës kontabël të

pasurive të paluajtshme të rivlerësuara.

5

VII. PAGESA E TË ARDHURAVE NGA TATIMI I RIVLERËSIMIT NË BUXHETIN E

SHTETIT

14. Pagesa e tatimit nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme kryhet sipas modeleve të

formularit të faturës për arkëtim, përkatësisht, për individët (shtojca nr. 3) ose për personat

juridikë (shtojca nr. 4), që i bashkëlidhen këtij udhëzimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

15. Individëve iu vihet në dispozicion formulari i faturës nga drejtoritë/zyrat vendore të

ASHK-së, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania.

16. Personave juridik iu vendoset në dispozicion formulari nga degët përkatëse të bankave.

Gjithashtu, ky formular mund të shkarkohet edhe elektronikisht në faqen zyrtare të DPT-së.

17. Për personin juridik është e detyrueshme që, përveç të dhënave të nënshkruesit, në

faturën për arkëtim të plotësohen, gjithashtu, emri i personit juridik (shoqërisë) dhe

NIPT/NUIS. Pas verifikimit për plotësimin e të dhënave të plota, banka në zbatim të

marrëveshjes dypalëshe me Ministrinë e Financave pranon të kryejë arkëtimin, duke

evidentuar llojin e së ardhurës, si dhe kodin e institucionit, sikurse është përcaktuar në

“Faturën për arkëtim”, në bazë të kodit të të cilave do të kryhet kontabilizimi në sistemin

informatik financiar të qeverisë (SIFQ).

18. Tatimi mbi të ardhurat nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme (5%), që paguhet nga

individi, arkëtohet në një llogari të veçantë të hapur nga çdo drejtori vendore e ASHK-së

pranë bankave të nivelit të dytë. Drejtoritë vendore të ASHK-së operojnë si agjentë tatimorë

për arkëtimin në buxhetin e shtetit të këtyre të ardhurave. Brenda datës 10 të muajit pasardhës,

vlera e tatimit kalohet në llogarinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në buxhetin e

shtetit në kodin e të ardhurave 7020900, në drejtoritë tatimore përkatëse.

Brenda së njëjtës datë (të çdo muaji pasardhës), drejtoritë vendore të ASHK-së dërgojnë në

drejtoritë tatimore përkatëse evidencën manuale dhe/ose elektronike, me të dhënat e individit

që ka kryer rivlerësimin e pasurisë, si dhe shumën e tatimit të llogaritur nga rivlerësimi.

19. Llogaritja dhe arkëtimi i tatimit 5% për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të

personave juridikë bëhet nga drejtoritë rajonale tatimore përkatëse. Ky tatim llogaritet si

diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të pasurisë të regjistruar në

pasqyrat financiare të vitit 2025. Kontabilizimi i tatimit nga rivlerësimi i pasurisë së

personave juridikë (5%) do të bëhet në llogarinë ekonomike të të ardhurave 7020400, për

llogari të buxhetit të shtetit.

Banka transferon arkëtimet në llogaritë bankare përkatëse në emër të degës së thesarit të

çdo rrethi për çdo drejtori rajonale tatimore, sipas kodeve përkatëse të çdo drejtorie.

Drejtoritë rajonale tatimore, çdo muaj, bëjnë rakordimin me degën e thesarit për arkëtimet

e kryera, në përputhje me këtë udhëzim.

20. Në raste të derdhjeve gabim të tatimit të rivlerësimit për individët dhe detyrimit për të

kthyer tërësisht ose pjesërisht shumën, drejtoritë vendore të ASHK-së hartojnë

dokumentacionin justifikues për kthimin e shumës tek individi, pas kërkesës së individit.

7.1. Në rast se individi paraqet kërkesën për kthim shume, brenda datës 10 të muajit

pasardhës, drejtoria vendore e ASHK-së bën drejtpërdrejt kthimin e shumës së arkëtuar

gabim. Nëse është tejkaluar ky afat dhe të ardhurat kanë kaluar në buxhetin e shtetit,

kërkesën, individi duhet ta paraqesë për kthimin e shumës së mbajtur gabim pranë drejtorisë

tatimore përkatëse.

7.2. Në funksion të kthimit të shumës së mbajtur gabim, drejtoria vendore e ASHK-së

dërgon dokumentacionin justifikues provues pranë drejtorisë tatimore përkatëse, e cila pas

administrimit të dokumentacionit kthen shumën e mbajtur gabim tek individi.

VIII. TARIFA E SHËRBIMIT

21. Tarifa për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, është si më poshtë:

Nr. Vlera e tatimit 5% i rivlerësimit

që do të derdhet në buxhet

Tarifa e shërbimit

për rivlerësimin e pasurisë

6

1 Deri në 150,000 lekë 3,500 lekë

2 150,001–300,000 lekë 7,000 lekë

3 Mbi 300,001 lekë 10,000 lekë

22. Ky shërbim do të ketë kodin RVP në kërkesën për rivlerësim.

IX. DISPOZITA TË FUNDIT

23. Pas kryerjes së rivlerësimit për individët, sipas këtij udhëzimi, në rastet e kalimit të së

drejtës së pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme të rivlerësuar, në zbatim të ligjit nr. 29, datë

30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi

mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë,

me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.

24. Aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda datës 31

dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i

rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.

25. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për

zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTËR I FINANCAVE

Petrit Malaj

DREJTOR I PËRGJITHSHËM

I AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Lorena Goxhobelli

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit