

Athinë: Në kërkim 64-vjeçari që dyshohet për tentativë sulmi ndaj 25-vjeçares me aftësi të kufizuara
Autoritetet kanë nisur një operacion kërkimi për gjetjen e 64-vjeçarit që dyshohet se tentoi të sulmonte seksualisht një 25-vjeçare me aftësi të kufizuara në zonën e Kypselit, në Athinë. Ai dyshohet se ka mbërritur në Shqipëri.
Nëna e vajzës, Katerina Beqari, deklaroi se kur u kthye në shtëpi e pa burrin mbi vajzën e saj, raporton noa.al duke cituar median greke newsbomb. Sipas përshkrimit të saj, ajo mori një tigan të madh dhe e goditi në kokë për ta larguar dhe për të mbrojtur të bijën.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë të shtëpisë, 64-vjeçari shihet pak minuta para orës 10:00 të mëngjesit duke ecur drejt hyrjes së banesës, duke hapur derën me çelësa, duke hyrë brenda dhe duke e mbyllur pas vetes. Rreth pesë minuta më vonë, nëna hyn në shtëpi dhe përballet me skenën.
Stacioni televiziv MEGA publikoi pamje nga ngjarja, të cilat i cilësoi të rënda, por momenti i tentativës nuk u transmetua për arsye të kuptueshme. Në video shfaqet përplasja mes nënës dhe të dyshuarit, ku ai dyshohet se e goditi me shuplaka, shkelma dhe grushte, ndërsa ajo përpiqej ta ndalte me tigan. Më pas ai u largua nga banesa.
Në një intervistë për MEGA, nëna deklaroi se e pa burrin mbi vajzën e saj në shtrat, të zhveshur në pjesën intime. Ajo theksoi se sistemi i kamerave me zë brenda shtëpisë kishte regjistruar gjithçka. Sipas saj, ai u përpoq të vishej dhe të fshihej në banjë kur ajo hyri. Gjatë përplasjes, ajo rrëshqiti për shkak të një problemi në gju dhe në atë moment ai e goditi.
Vajza, e cila sipas nënës është me autizëm, u tremb nga skena dhe iu afrua nënës. Sipas dëshmisë, burri e goditi edhe vajzën në sy para se të largohej nga pallati, ndërsa fqinjët dëgjuan zhurmën.
Nëna njoftoi menjëherë policinë, dha dëshmi në komisariat dhe ka nisur procedurat ligjore me ndihmën e avokatit të saj, përfshirë masa ligjore mbrojtëse.
Sipas informacioneve, ekzaminimi mjeko-ligjor i 25-vjeçares ka përfunduar dhe rezulton se nuk ka pësuar abuzim seksual. Sipas nënës, bëhej fjalë për tentativë dhe ndërhyrja e saj e menjëhershme e pengoi përfundimin e aktit.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për lokalizimin e 64-vjeçarit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






