

Tiranë- Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka cilësuar konstruktiv takimin e zhvilluar me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi.
Takimi u mbajt në Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të diskutimeve për ecurinë e reformës territoriale dhe administrative.
Në një reagim publik, Gonzato theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse, plotësisht transparente dhe të ndërtuar mbi të dhëna të sakta, duke nënvizuar nevojën për arritjen e një konsensusi të gjerë politik.
Sipas tij, shpejtësia e reformave nuk duhet të vijë në kurriz të cilësisë, ndërsa rritja e efikasitetit nuk mund të cënojë demokracinë vendore. Ambasadori theksoi gjithashtu se çdo transferim funksionesh drejt pushtetit vendor duhet të shoqërohet me financim të mjaftueshëm, në mënyrë që autoritetet lokale të kenë autonomi reale në vendimmarrje dhe kapacitetet e nevojshme për zbatim.
Në reagim nënvizohet se reforma duhet të garantojë përmirësim konkret të shërbimeve për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane, duke respektuar parimet e decentralizimit dhe të qeverisjes vendore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






