Transmetuar më 23-02-2026, 18:14

Tiranë, 23 shkurt 2026 – Ministria e Financave ka zhbllokuar procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, pas publikimit të udhëzimit përkatës në Fletoren Zyrtare. Procesi i ri parashikon aplikimin e një tatimi të reduktuar prej 5% mbi diferencën e vlerës së pronës, duke i hapur rrugë individëve dhe bizneseve të përditësojnë vlerën fiskale të aseteve të tyre.

Kush përfiton?

Të drejtën e rivlerësimit e kanë të gjithë individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar, apo që do të fitojnë dhe regjistrojnë pronësinë deri më 31 dhjetor 2026. Procesi mund të kryhet edhe për prona që janë rivlerësuar më parë, ndërsa në rastet kur një individ ka më shumë se një pasuri, rivlerësimi bëhet për secilën veçmas.

Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, rivlerësimi do të kryhet mbi bazën e çmimeve minimale fiskale aktualisht në fuqi, dhe jo me referencat e reja të tregut për 60 bashkitë e vendit (me përjashtim të Tiranës).

Si funksionon skema e tatimit?

Në kushtet normale, diferenca mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes tatohet me 15%. Me skemën e rivlerësimit, kjo normë ulet në 5%.

Shembull ilustrues:

Një pronë e blerë për 50 mijë euro dhe e shitur për 100 mijë euro krijon një diferencë prej 50 mijë eurosh.

Me tatim 15%: paguhen 7,500 euro.

Me rivlerësim 5%: paguhen 2,500 euro.

Procedura e aplikimit

Procesi do të realizohet online përmes platformës e-Albania, sipas dy alternativave:

Përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) – Rivlerësimi bëhet mbi bazën e çmimeve minimale fiskale në fuqi.

Përmes ekspertit të licencuar – Vlera përcaktohet sipas aktit të vlerësimit, por nuk mund të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal.

Në rastin e aplikimit përmes Agjencia Shtetërore e Kadastrës, tarifat e shërbimit janë si më poshtë:

Deri në 150 mijë lekë tatim: 3,500 lekë tarifë

150,001 – 300,000 lekë tatim: 7,000 lekë tarifë

Mbi 300,000 lekë tatim: 10,000 lekë tarifë

Kur rivlerësimi kryhet me ekspert, aplikimit duhet t’i bashkëlidhet akti i vlerësimit dhe licenca përkatëse. Regjistrimi i vlerës së re në regjistrin e pasurive bëhet vetëm pas pagesës së tatimit.

Amortizimi 1% në vit

Për herë të parë, në këtë proces do të njihet amortizimi i ndërtesave në masën 1% për çdo vit të plotë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të parë të pronësisë. Zbritja maksimale nuk mund të kalojë 30% të çmimit të referencës.

Çfarë parashikohet për bizneset?

Për personat juridikë, përfitojnë nga rivlerësimi vetëm subjektet që i kanë të pasqyruara pasuritë në pasqyrat financiare të vitit 2025. Llogaritja dhe arkëtimi i tatimit 5% do të kryhet nga drejtoritë rajonale tatimore përkatëse, ndërsa vlerësimi i tregut duhet të bëhet nga ekspertë të pavarur të licencuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit