Transmetuar më 23-02-2026, 14:14

NË PËRDITËSIM: Belinda Balluku përballet me akuza të rënda – Prokuroria e Posaçme: Rrezikon deri në 35 vite burg

Zhvillime të reja kanë dalë nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve, e cila po zhvillohet sot në Kryesinë e Kuvendit, ku u diskutua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas detajeve të bëra publike nga mbledhja që vazhdon prej afro pesë orësh, përfaqësues të Prokurorisë deklaruan se në fazën fillestare të masave të kërkuara, znj. Belinda Balluku përballej me një rrezik dënimi deri në 10 vite burg.

"Në situatën kur u kërkua masa e parë Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg", thanë prokurorët e SPAK në seancën e Këshillit të Mandateve.

Megjithatë, sipas prokurorëve, situata e saj ligjore është rënduar ndjeshëm. “Sot që flasim, me akuzat e ngritura nga prokuroria në këtë moment, znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, mësohet të kenë deklaruar ata gjatë mbledhjes.

"Një vepër që dënohet me 4 vite burg e ka kryer 9 herë", pohoi prokurori.

Prokuroria: Balluku dyshohet për intimidim dëshmitarësh – SPAK: Ekzistojnë transkripte në dosjen prej 16 mijë faqesh

Prokurorët kanë deklaruar se, sipas hetimeve, më 20 nëntor 2025, Belinda Balluku dyshohet se ka intimiduar dy dëshmitarë, duke u kërkuar atyre të ndryshojnë dëshminë e dhënë.

Sipas SPAK, jo vetëm kaq, por persona të cilësuar si “të fortë” dyshohet se kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj dëshmitarëve në emër të saj.

Organi i akuzës ka theksuar se këto pretendime mbështeten në transkripte bisedash, të cilat përfshihen në dosjen hetimore prej 16 mijë faqesh, e dorëzuar në Kuvend në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kërkesës.

Kreu i SPAK, Klodian Braho: Balluku rrezikon deri në 35 vite burg – “Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë”

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka deklaruar gjatë mbledhjes se situata ligjore e Belinda Ballukut është rënduar ndjeshëm krahasuar me fazën fillestare të hetimit.

Sipas tij, në momentin kur u kërkua masa e parë ndaj saj, znj. Balluku përballej me një rrezik dënimi deri në 10 vite burg. “Sot që flasim, me akuzat e ngritura nga prokuroria në këtë moment, znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, u shpreh Braho.

Ai shtoi se, sipas hetimeve, e njëjta vepër penale dyshohet se është kryer 9 herë. “Secila vepër dënohet me 4 vite burg. Me bashkim dënimesh, ky është marzhi i veprës”, deklaroi kreu i SPAK.

Debat në Këshillin e Mandateve – Pyetjet e Ulsi Manjës dhe përgjigjet e Prokurorisë

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, anëtari Ulsi Manja i ka drejtuar një sërë pyetjesh prokurorëve të SPAK lidhur me pretendimet se Belinda Balluku, drejtpërdrejt ose përmes personave të tjerë, ka kërcënuar dëshmitarë në lidhje me çështjen ndaj saj.

Manja pyeti fillimisht nëse personat që pretendohet se janë kërcënuar janë dëshmitarë apo të pandehur.

Prokuroria u përgjigj se bëhet fjalë si për persona të tjerë të pandehur, ashtu edhe për dëshmitarë që nuk janë të pandehur në çështje.

Më tej, Manja kërkoi të dijë nëse janë sekuestruar të gjitha provat.

Prokuroria u përgjigj: “Jo.”

Në vijim, Ulsi Manja ngriti pyetjen mbi mekanizmin përmes të cilit Balluku mund të ndikojë në prishjen e provave, duke qenë – sipas tij – e pezulluar nga detyra.

Prokurori sqaroi: “Balluku është në detyrë. Mekanizmi është duke takuar vartësit.”

Belinda Balluku mungon në Këshillin e Imuniteteve – Përfaqësohet nga dy avokatë që thonë se nuk shohin motive politike në çështjen e ngritur nga SPAK

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e saj.

Ajo u përfaqësua nga dy avokatët e saj, Ardian Kalia dhe motra e saj, Pamela Qirko. Gjatë seancës, avokati i Ballukut kundërshtoi kërkesën e SPAK, duke paraqitur qëndrimin e mbrojtjes në lidhje me procedurën dhe akuzat.

Megjithatë, sipas mbrojtjes, në këtë çështje nuk ka indicie për motivim politik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit