

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor ish-policin Gentjan Hoxhalli për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjykata e dënoi atë me 3 vite burgim, dënim që u ul në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe i pandehuri u vu në provë për 4 vite. Po ashtu, atij iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Njoftimi i plotë:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: ‘Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Gentjan Hoxhalli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë, i Kodit Penal’.
Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Engjëllushe Tahiri dhe Besmir Stroka, me vendimin nr. 18, datë 23.02.2026, vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Gentjan Hoxhalli për kryerjen e veprës penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen me 1/3 të dënimit dhe dënimin përfundimtar me 2 (dy) vite burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë për një afat prej 4 (katër) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Në aplikim të nenit 35, paragrafi 2, të Kodit Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vitesh.
Bazuar në nenin 261/1, germa ‘b’, në lidhje me nenin 389 të Kodit të Procedurës Penale, shuarjen e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’, caktuar ndaj të pandehurit me vendimin nr. 116, datë 08.11.2025.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tij, nëse nuk mbahet i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar për një vepër tjetër penale.
Në lidhje me provat materiale, gjykata, bazuar në nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale, disponon kthimin e tyre të pandehurit.
Shpenzimet procedurale dhe gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






