

Prej orës 10:00 të paradites së kësaj të hëne, në Këshillin e Mandateve po diskutohet kërkesa e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku, aktualisht e pezulluar nga detyra.
Në vijim të pyetjeve të bëra nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u deklarua se Prokuroria ka konstatuar fakte të tjera penale që rëndojnë pozitën procedurale të Ballukut.
Sipas Bardhit, duke iu referuar prokurorëve, gjendja procedurale e saj është rënduar dhe ekziston rreziku i prishjes së provave ose i kryerjes së veprave të tjera penale.
“Gjithashtu, u konfirmua se më 20 nëntor 2025 janë intimiduar dy dëshmitarë, të cilëve u është kërkuar të ndryshojnë dëshminë.
Po ashtu, Prokuroria informoi se ka prova sipas të cilave disa persona ‘të fortë’ – duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar – kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë, janë paraqitur prova në mbledhjen e Këshillit, përfshirë transkripte bisedash.
Sipas Prokurorisë, Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur pretendime për ndikim apo përndjekje politike nga ana e organit të akuzës.
Hetimi nuk ka sfond politik.
Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e zonjës Balluku, të cilët u shprehën se nuk kanë pretendime të këtij lloji”, thuhet në konkluzionet e paraqitura nga Bardhi pas pyetjeve të ngritura prej tij në Këshillin e Mandateve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






