Transmetuar më 23-02-2026, 12:51

Debate kanë shoqëruar nisjen e mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës nisën që në fillim të mbledhjes. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të hapura dhe në prani të mediave, me argumentin se procesi duhet të jetë transparent për publikun. Ai akuzoi mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të shqyrtimit të kërkesës së SPAK dhe të procedurës për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke theksuar se çështja ka rreth dy muaj që nuk po merr zgjidhje.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste kundërshtuan kërkesën e opozitës, duke deklaruar se diskutimet e sotme janë konfidenciale dhe lidhen me sekret hetimor. Sipas tyre, edhe vetë SPAK ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së informacionit që do të trajtohet.

Siç bëri me dije gazetarja e RTSH, Jonida Omeri, debatet në Këshillin e Rregullores për Mandatet dhe Imunitetin kanë vijuar për më shumë se një orë e 30 minuta. Kjo është hera e dytë që ky këshill mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK ndaj zëvendëskryeministres.

Në mbledhjen e sotme, ashtu si edhe në atë të zhvilluar më 19 dhjetor, marrin pjesë Kreu i SPAK, Klodian Braho, si dhe prokurorët e çështjes Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.

Dy muaj më parë, Gjykata Kushtetuese pezulloi efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në mbledhjen e gjyqtarëve të zhvilluar më 12 dhjetor 2025, Gjykata shqyrtoi kërkesën e depozituar nga Kryeministri Edi Rama më 21 nëntor, ku ai pretendonte se GJKKO kishte tejkaluar kompetencat dhe kishte cenuar imunitetin e një anëtari të kabinetit qeveritar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit