

Bllatë– Përveç paralizimit të qarkullimit për qytetarët, aksi rrugor Librazhd–Pogradec është kthyer në një problematikë serioze edhe për mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë mallra nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Si zgjidhje të përkohshme, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka orientuar drejtuesit e kamionëve të përdorin itinerarin përmes Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, duke vijuar në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe më pas përmes Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë, për të hyrë në Shqipëri dhe për të vazhduar drejt Tiranës nëpërmjet Rrugës e Arbrit.
Megjithëse ky devijim është paraqitur si alternativë për të shmangur segmentet problematike, infrastruktura në anën shqiptare të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë paraqet dëmtime të shumta. Gropa dhe çarje në asfalt evidentohen përgjatë gjithë gjatësisë së aksit, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve të rënda.
Në kontrast, segmenti rrugor në territorin e Maqedonisë së Veriut paraqitet pa dëmtime të dukshme, duke krijuar dy standarde të ndryshme infrastrukturore vetëm pak metra nga njëra-tjetra në kufi.
Pika e Kalimit Kufitar Bllatë, në qarkun e Dibrës, u vu në funksion për përballimin e qarkullimit të kamionëve, pasi aksi Maliq–Lozhan–Gramsh nuk garanton standarde të mjaftueshme sigurie për qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






