

Ndërsa rrugët për juglindje janë zhytur në kaos, Kryeministri e ka gjetur zgjidhjen për të shkuar në Korçë, me helikopter. Me të zbritur atje, e presin forca sigurie që bëjnë më pas shoqërimin në aktivitetet e Ramës.
Pasi më herët kryeministria heshti për faktin, megjithatë Rama e pranoi pak më parë se ai i kishte hipur helikopterit për të shkuar në Korçë.
Pohimin Rama e bëri duke sulmuar mediat pse e raportuan lajmin dhe u shpreh kështu: "Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë!
Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë", thotë Rama. Ai shton se këtë tur me helikopter po e bën për të shoqëruar një grup investitorësh, siç thotë ai, "me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë".
Noa.al mësoi se këta biznesmenë kanë në dispozicion një helikopter të tyre, gjë që pohohet dhe nga Rama.
Kurse kryeministri dhe ata që e shoqërojnë bë këtë udhëtim për të shoqëruar këta investitorë, janë duke përdorur helikopterin e Forcave të Armatosura.
Kryeministri e argumenton kështu përdorimin e helikopterit: "Me ne ose pa ne, helikopteri i Forcave të Armatosura kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!"
Në vijim të deklaratës, thuhet: "Me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri".
E ndërsa situata me rrugët drejt juglindjes është rënduar shumë, Rama përpiqet të minimizojë faktin dhe efektet, duke u shprehur kështu:
"Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!".
Në këtë pikë Rama shfrytëzon dukurinë e ndodhur në Itali, dhe shton: "Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë". /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






