

Segmenti rrugor në zonën “Arrat e Gurrës”, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, nuk do të hapet sot për qarkullim, ndonëse ishte parashikuar që by-pass-i provizor të vihej në funksion në mesditë.
Pas ndërhyrjes për hapjen e një rruge dytësore me qëllim kalimin e përkohshëm të mjeteve, situata në terren ka ndryshuar për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës. Rruga provizore ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje dheu, duke dëmtuar seriozisht punimet e kryera dhe duke e bërë segmentin tërësisht të pakalueshëm.
Për arsye sigurie, mjetet e firmës zbatuese janë tërhequr nga zona, ndërsa autoritetet kanë ndaluar plotësisht lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve në këtë pjesë të aksit.
Raportohet se në zonën e Dragostunjës janë thirrur forcat speciale të FNSH dhe forcat e Armatosura të ushtrisë të cilat po vendosen aty që mos kalojë asnjë makinë dhe asnjë këmbësor.
Autoritetet po bëjnë thirrje që asnjë mjet ose kalimtarë të mos afrohen në zonën që shfaq rrezik evident.
Strukturat shtetërore pritet të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi zona paraqitet e paqëndrueshme dhe me vështirësi të theksuara për ndërhyrje.
Aksi Librazhd–Pogradec vijon të mbetet i bllokuar prej dy ditësh si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave të shkaktuara nga erozioni aktiv në zonë.
Skandal apo gafë? ARRSH u kërkon shoferëve kalimin përmes një shteti tjetër për të shkuar në juglindje
Situata e rënduar në aksin nacional Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ka detyruar Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) të publikojë një njoftim me akse alternative për qarkullimin.
Për autoveturat, ARRSH sugjeron përdorimin e akseve Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan, si dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë.
Por më shumë reagime ka shkaktuar sugjerimi për mjetet e tonazhit të rëndë, të cilave u rekomandohet të përdorin itinerarin: Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit, pra duke kaluar përmes territorit të një shteti tjetër për t’u rikthyer më pas në Shqipëri.
Në njoftim, ARRSH kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës, duke i ftuar të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Ndërkohë, bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas vijon për shkak të rrëshqitjeve të dheut, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin drejt juglindjes së vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






