

Rruga Prrenjas–Librazhd vijon të mbetet e mbyllur për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe rrezikshmërisë së lartë për qarkullimin. Në këto kushte, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të udhëtojë me helikopter për të vijuar vizitën e tij në Korçë.
Sipas informacioneve, Policia e Korçës është njoftuar se kryeministri do të zbresë me helikopter rreth orës 11:00 në stadiumin “Skënderbeu”, ku pritet të marrë pjesë në inaugurimin e Polit të Dijes.
Duke qenë se aksesi rrugor që lidh Pogradecin me Korçën është i bllokuar, helikopteri është konsideruar si zgjidhja e menjëhershme për realizimin e programit zyrtar. Kryeministri nuk do të përdorë as aksin Maliq–Gramsh–Elbasan, i cili aktualisht është i vetmi segment i hapur për qarkullim në këtë drejtim.
Nga Kryeministria nuk ka pasur ende një njoftim zyrtar lidhur me këtë vizitë, ndërsa lajmi është raportuar nga mediat lokale në Korçë. Noa.al kërkoi një koment nga zyra për shtyp e Kryeministrisë por ajo nuk u përgjigj.
Megjithatë, pas mesdite, ishte Edi Rama që reagoi në X duke pranuar se ishte duke udhëtuar me helikopter: "Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!
Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!
Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!
Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:
E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!
E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.
Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten".
Vizita e Ramës vjen në një moment kur disa prej akseve kryesore që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të vendit janë të bllokuara për shkak të kushteve të motit dhe rrëshqitjeve të dheut.
Në zonë është vënë re një prani e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të cilat kanë marrë masa sigurie në pritje të mbërritjes së kryeministrit.
Rruga Prrenjas–Librazhd pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjeve në zonën e njohur si “Arra e Gurrës”, por gjatë orëve të mëngjesit janë regjistruar sërish rrëshqitje dheu. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e rrugës janë tërhequr nga vendi, duke shtuar pasigurinë për rifillimin e qarkullimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






