

Ndalohet edhe qarkullimi i këmbësorëve
Librazhd, 23 Shkurt 2026 – Segmenti i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, i cili pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër shembje të rëndë.
Burime nga terreni bëjnë me dije se rruga dytësore, e hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke. Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë segmentin të pakalueshëm për një kohë të gjatë. Për shkak të rrezikut, janë hequr edhe makinat e firmës ndërtuese, ndërsa është ndaluar edhe qarkullimi i këmbësorëve.
Situata ka alarmuar strukturat shtetërore dhe qeverinë shqiptare, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes. Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.
Bllokimi i këtij segmenti vazhdon të krijojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe lidhjen mes zonave, duke shtuar presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






