Transmetuar më 23-02-2026, 09:51

Operacioni “NDËRMOLLASI 2” në Shkodër, arrestohen Sami Meaj dhe Selim Myrtja – sekuestrohen armë, municion dhe 25.2 kg Cannabis

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka finalizuar operacionin e koduar “NDËRMOLLASI 2”, në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e R. M., 29 vjeç, në fshatin Ura e Shtrenjtë (i arrestuar më 14.09.2025 në kuadër të operacionit “Ndërmollasi”), u gjet dhe u sekuestrua një arsenal armësh dhe municioni, si dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.

Konkretisht, Policia sekuestroi 11 armë zjarri, 5506 fishekë luftarakë, 7 krehra për armë automatike, 6 krehra për pushkë, 35 metra fitil detonator, 25.2 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe 2 palë targa të huaja, njëra e Gjermanisë dhe tjetra e Austrisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan shtetasit Sami Meaj, 29 vjeç, dhe Selim Myrtja, 31 vjeç, të dy banues në fshatin Ura e Shtrenjtë. Sipas hetimeve paraprake, Sami Meaj dhe Selim Myrtja dyshohet se janë posedues të materialeve të sekuestruara dhe bashkëpunëtorë të R. M.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit