

Arrestohet Artan Grubi në pikën kufitare Bllacë, dyshohet për dëmtim të buxhetit me mbi 8 milionë euro
Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është arrestuar në pikën kufitare Bllacë, pasi ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.
Sipas autoriteteve, Grubi dyshohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në kuadër të hetimeve që lidhen me Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Hetimet kanë të bëjnë me veprime të dyshuara të paligjshme gjatë vitit 2023, të cilat sipas prokurorisë kanë shkaktuar një dëm financiar mbi 8 milionë euro në buxhetin e shtetit.
Në mesin e personave të përmendur në këtë rast janë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka konfirmuar se kallëzimi penal është dorëzuar në prokurori dhe se procedurat janë në vijim.
Kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, ka deklaruar më herët se Grubi ishte larguar drejt Kosovës, ndërsa vetë Grubi i ka mohuar akuzat, duke theksuar se nuk ishte arratisur, por ndodhej jashtë vendit për një vizitë private.
Në fund të vitit 2024, Artan Grubi u përfshi në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore, lidhur me çështjen e ish-zyrtarit Sasho Mijallkov. Pas kësaj, ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ndaj tij u lëshua fletarrest ndërkombëtar, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin, për rastin e njohur si “Lotaria”. Të dyve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas organeve të hetimit, Grubi dhe Bajrami dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 8.2 milionë euro. Ata akuzohen për veprën penale “mashtrim në shërbim”, sipas nenit 354 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, vepër e cila parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive individuale të të përfshirëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






