

Vlorë, 23 Shkurt 2026 – Dy persona janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit policor të koduar “Brotherhood”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Në flagrancë u arrestuan shtetasit Fioraldo Meminaj, 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, dhe Lirim Likaj, 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë, Vlorë.
Operacioni u finalizua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për dy shtetas që dyshohej se merreshin me transport dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 57 kg kanabis dhe një armë automatike
Shërbimet e Policisë ndaluan dhe kontrolluan një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin shtetasit F. M. dhe L. L. Gjatë kontrollit të mjetit u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e përgatitur për shitje.
Në vijim të operacionit:
Në banesën e shtetasit F. M., në fshatin Trevllazër, u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër kanabisi, duke çuar totalin në rreth 57 kilogramë.
Në banesën e shtetasit L. L., në fshatin Mavrovë, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë zjarri automatike, model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë.
Të arrestuarit
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë:
F. M., 41 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë;
L. L., 40 vjeç, banues në Mavrovë, Vlorë.
Ata akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






